Jeton Buquku sapo kishte dalë nga automjeti i tij kur nga pas i kishin shkuar tre persona në momentin kur ai po hynte në vendin e tij të punës.
Në pamjet ekskluzive të Paparacit, shihet një person që ia drejton revolen dhe e gjuan, duke e lënë të plagosur Buqukun.
I kontaktuar nga Paparaci, Jeton Buquku ka thënë se nuk i ka njohur kurrë personat që e sulmuan.
“Mund të jenë shtyrë nga dikush”, ka thënë ai.
Arian Qelaj, 45-vjeçar, nga Mazniku i Deçanit, i njohur si recedivist i veprave penale dhe dy familjarë të tij, janë shpallur në kërkim për tentim-vrasjen e afaristit Jeton Buquku të dielën.
Buquku u plagos rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri paraditen e së dielës në rrugën “Adem Jashari” në Pejë.
Pronari i kompanisë së përpunimit të mishit “Buquku Sh.p.k”, i lënduar rëndë, pranoi fillimisht trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, para se të transferohej për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Mjekët e kanë vlerësuar gjendjen e tij si stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës kanë rezultuar me identifikimin e tre të dyshuarve për rastin.
Në dhjetor të vitit 2019, Policia e Kosovës e kishte shpallur Qelajn në kërkim për dhunim dhe lëndim të rëndë trupor. Ai dyshohet se ishte arratisur në Gjermani.
Arian Qelaj, bashkë me vëllain e tij Ismetin, ishin akuzuar nga Prokuroria e Pejës për rrahjen e dy personave në një kafiteri në fshatin Raushiq të Pejës.












