Në prill të vitit 2022 kishte shpërthyer skandali për punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës. Në KEK ishin punësuar familjarë e militantë të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes.
Kjo temë ishte diskutuar edhe në mesazhet ndërmjet ‘komisares’ së VV-së, Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Për këto punësime, sipas mesazheve, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte shkruar Email zyrtarisht në Korporatën Energjetike të Kosovës për të kërkuar informacione.
Pas kësaj kërkesë, LDK-ja kishte publikuar emrat e punësimeve në një konferencë për media. Këtë nuk kishte mundur ta kapërdijë lehtë Dejona Mihali. Ajo kishte shpërthyer në ofendime.

“Merre me mend, i bënë konferencat pastaj kërkojnë takim. Këta janë më horra se Isa Mustafa”, i kishte shkruar Mihali ish-kryeshefit të KEK-ut.
“Unë po mendoj mos t’i përgjigjem njëherë”, ia kthen Nagip Krasniqi.
“Leje të premten pasdite”, ia kthen Dejona Mihali.
Në një tjetër mesazh më poshtë, ajo i kërkon Krasniqit të ketë kujdes, pasi ‘ata janë të pabesë’.
“Edhe kujdes me ta se janë të pabesë dhe do t’i shtrembërojnë çkado që flet”, i shkruan Mihalit-Krasniqit për zyrtarët e LDK-së.
Diskutimi për LDK-në dhe për skandalin me punësime vazhdon në të tjera mesazhe.

Mihali ia përcjellë Krasniqit njoftimin e LDK-së se do të dorëzojnë kallëzim penal në Prokurori për punësimet në KEK.
Ish-kryeshefi i KEK-ut ia kthen se e ka parë këtë njoftim.
“Kështu që takimi nuk e di sa vlerë ka”, ka shkruar Mihali.
Në ftesën zyrtare për takim që ua kishte nisur LDK-ja për të marrë më shumë informata rreth punësimeve, Nagip Krasniqi zgjedh të përgjigjet. Megjithatë, para se ta kthejë përgjigjen zyrtarisht, ia dërgon Dejona Mihalit për një tjetër verifikim.
“Faleminderit për interesimin e kryetarit të LDK për takim. Megjithatë takimi lidhur me shqetësimet e juaja rreth procesit të rekrutimit do të ishte i mirëpritur nga ne, para se LDK të kishte procedura me kallëzim penal në KEK”, thuhet në një pjesë të përgjigjes të përgatitur nga Nagip Krasniqi.

Megjithatë, versioni i Nagip Krasniqit nuk pranohet në tërësi nga Dejona Mihali. Kjo e fundit ia jep redaktimet e fundit para versionit final.
“Jo të ardhmen. Dhe në vend të përfshirë, si dhe të njoftoheshit me politikat e burimeve njerëzore”, thuhet në mesazhin e Mihalit.
Më pas, ajo e vazhdon bisedën, duke ia treguar Krasniqit numrin e deputetëve të LDK-së.
“Llogarit që kanë 13 deputet dmth kaq i kanë vlersuar njerëzit”, thuhet në mesazh.


Raportimet e Nacionales
“Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime”, i drejtohet Mihali ish-Kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale. Madje përveç kësaj, ajo ia shton edhe një “fare” në fjali, duke ia bërë të ditur Krasniqit, se për ato ditë të caktuara nuk duhet të ketë fare reduktime.
Pas urdhërit që Mihali ia jep Krasniqit që të mos ketë reduktime, pason një bisedë tjetër; ajo ia jep një leksion se si duhet të kontrollohen sinjalizuesit.
Duke ia dërguar një informacion që kishte dalur nga KEK-u, Mihali i kërkon llogari Krasniqit, se përse po dalin informacione nga Korporata e ky i fundit nuk po i di.
Krasniqi për t’u “shfajësuar” i thotë se “s’duhet të merremi me thashetheme”, derisa Mihali ia kthen me një leksion: “vërtetësia është tjetër gjë, burime të tjera të infos çka ngjan aty në vend të ngjarjes është me rëndësi, të marrim masa, të kesh njerëz që të njoftojnë paralelisht, ata që janë në ndërrim kryesisht natën.”
Të kthehemi te mesazhi i sipërm, kur Mihali e fton në objekt të Vetëvendosjes: por, ia bën me dije që të shkojë i kamufluar: “…me kapelë” të cilës ia shoqëron edhe një ‘smajll’.
Dejona Mihali i kërkon takim Nagip Krasniqit:
Mihali: “Po duam të të takojmë me Gazmendin. Kur mundemi?”
Krasniqi: “Të shtunën?”
Mihali: “Të shtunën kam këshill, të pretem në pasdite/mbrëmje?”
Krasniqi: “Jam në Vjenë. Kthehem nesër. Të premten kam mbledhje të bordit tërë ditën”.
Mihali: “Të dielën në 12:00”
Krasniqi: “Në rregull”
Mihali: “A po vjen te…me kapelë J”
Në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.
Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.
Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.
“Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat të cilat i ka siguruar Nacionale.