Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka kryesuar sot ceremoninë përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të themelimit të KFOR-it, mbajtur në kampin ushtarak “Film City” në Prishtinë.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga 33 shtetet që kontribuojnë me trupa, të cilët nisën ceremoninë me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të rënëve që prej fillimit të misionit më 1999.
Në fjalën e tij, gjeneralmajor Barduani bëri homazhe për 220 pjesëtarë të shërbimit që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës.
“Shembulli i tyre duhet të frymëzojë detyrat tona të përditshme në përmbushjen e misionit tonë.”
“Si misioni më jetëgjatë dhe aktualisht më i madhi në historinë e NATO-s, KFOR-i qëndron si një dëshmi e angazhimit të qëndrueshëm dhe të prekshëm të Aleancës…, dhe përpjekjet e tij mbeten themelore në mbështetjen e progresit të nevojshëm politik drejt stabilitetit afatgjatë në rajon”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Misioni i KFOR-it vazhdon të mbështetet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe lirinë e lëvizjes – në mënyrë të paanshme dhe të vazhdueshme.