Përderisa kryeministri kanadez, Mark Carney, arrin në Kinë të mërkurën për vizitë, vendi pritës po sheh një mundësi për ta larguar aleaten e vjetër të ShBA-së nga ndikimi i saj, të paktën pak.
Mediat shtetërore në Kinë po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kanadasë që të hartojë një politikë të jashtme të pavarur nga Shtetet e Bashkuara – atë që e quajnë “autonomi strategjike”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kanadaja për një kohë të gjatë ka qenë njëra nga aleatët më të ngushta të Uashingtonit, gjeografikisht dhe jo vetëm. Megjithatë, Pekini po shpreson se agresioni ekonomik i presidentit amerikan, Donald Trump, dhe tani edhe veprimet ushtarake kundër vendeve të tjera do ta dëmtojnë raportin e vjetër.
Kryeministri kanadez është përqendruar tek ekonomia, duke e përshkruar vizitën e tij në Kinë si pjesë të një lëvizjeje për ndërtimin e bashkëpunimit përreth botës për t’i dhënë fund varësisë së Kanadasë nga tregu amerikan. Trumpi e ka goditur vendin fqinj me taksa ndaj eksporteve në ShBA dhe ka sugjeruar se Kanadaja mund të bëhet shteti i 51-të i ShBA-së.
Carney, i cili erdhi në pushtet vitin e kaluar, po synon që të ringjallë një marrëdhënie me Kinën që ishte shënuar me hidhërime për më shumë se gjashtë vjet gjatë pushtetit të paraardhësit të tij, Justin Trudeau.
“Nëse Otava ende zgjedh që ta bëjë politikën e saj ndaj Kinës subjekt të vullnetit të Uashingtonit përsëri në të ardhmen, vetëm sa do t’i çojë dëm përpjekjet e saj të mëparshme për riparimin e lidhjeve me Pekinin” – paralajmëroi gazeta shtetërore kineze në gjuhën angleze, “China Daily”.
Gazeta tjetër që menaxhohet nga autoritetet kineze, “Global Times”, shkroi: “Ndoshta ishte çmimi i lartë që u pagua për ndjekjen e verbër të ShBA-së në vendosjen e taksave të larta ndaj Kinës ai që e dobësoi të kuptuarit e autonomisë strategjike nga Otava.”
Zyrtarët kanadezë kanë thënë se presin që vizita e kryeministrit në Pekin të prodhojë përparim në fushën e tregtisë, por jo ndonjë heqje përfundimtare të taksave./Nacionale













