Me iniciativë të Tahir Batatinës, Avni Haxhiut dhe Shaban Bahollit, të cilët njihen si njerëz të afërt të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, një pjesë e klubeve të futbollit kosovar e kanë mbajtur sot një takim.
Temë kryesore e këtij takimi ishte moslicencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në takim nuk kanë marrë pjesë një pjesë e klubeve më të mëdha të futbollit kosovar si Prishtina, Drita, Trepça ’89 e të tjera, të cilat konsiderojnë se njëri prej thirrësve të takimit, Avni Haxhiu ia bën “argatin” kreut të FFK-së.
Sipas tyre, Haxhiu, i cili e përfaqëson klubin e futbollit Trepça, është shpeditor i FFK-së, e prandaj e ka mbajtur këtë takim, për interesa personale.
“Jo, nuk është aspak e vërtetë kjo. Unë me Tahir Batatinën dhe Shaban Bahollin e kemi bërë plan ta mbajmë këtë takim para një muaji”, deklaroi Haxhiu për “Express”.
Gjithashtu, spekulohet se ata janë udhëzuar nga krerët e FFK-së për ta mbajtur këtë takim, në mënyrë që t’i bëjnë presion Ministrisë së Sportit.
“Ne kemi dëshmi me shkrim që nuk kemi pasur shtytje prej askujt për këtë. Madje, zyrtarët e FFK-së sot e kanë marrë vesh për takimin”, vazhdoi ai.
Tutje, Haxhiu ka treguar se çka është diskutuar në takimin e sotëm, i cili u injorua prej një pjese të madhe të klubeve të Superligës, dhe për hapat e mëtutjeshëm që do t’i marrin këto klube.
“Pikëtakimin e kemi pasur tek kafeneja ‘Marco Polo’, ndërsa takimin e kemi mbajtur në Federatë. Aty kanë qenë disa zyrtarë të FFK-së, të cilët kanë qëndruar jashtë vendit ku u mblodhëm. Kanë qenë të pranishëm 3-4 klube të Superligës, të tjerat ndoshta nuk kanë ardhur pasi i kemi informuar vonë, mbrëmë”, tha tutje Haxhiu për “Express”.
“Tema kryesore ishte zbatimi i ligjit për sponsorizim. Jemi duke e shkruar kërkesën për t’u takuar me ministrin e sportit, Hajrulla Çeku. Nga ai do të kërkojmë që të na pranohen vërtetimet e sponsorizimeve pasi nuk kemi kohë, vetëm deri më 31 mars”, vazhdoi Haxhiu.
Nëse nuk marrin përgjigje nga ministri i sportit, ata e kanë ndërmend që shumë shpejt të mblidhen prapë dhe të shkojnë të protestojnë para Ministrisë së Sportit, shkruan “Gazeta Express”.
Klubet kosovare kanë humbur shuma marramendëse të parave shkaku i moslicencimit të FFK-së nga Ministria e Sportit, e cila gjeti mungesa në dokumentacion, të cilat nuk janë plotësuar/kompletuar ende nga shtëpia e futbollit kosovar.













