Avokati Arianit Koci ka thënë se ish-prokurori special Elez Blakaj ka konfiskuar dokumente në Zyrën e Kryeministrit për rastin e listave të veteranëve.
Ai ka thënë se Ramush Haradinaj, asokohe kryeministër, ka dëshmuar në gjykatë rreth këtij rasti.
Këto komente, avokati Koci i bëri pas pretendimeve se Elez Blakaj e kishte intervistuar ish-kryeministrin Haradinaj në Zyrën e Kryeministrit.
“Te rasti i Veteranëve të Luftës, ngjarja ka ndodhur kështu: Unë e kam propozuar Ramushin si dëshmitar, dhe kërkesa ime është aprovuar nga Gjykata. Ramushi ka ardhë në gjykatë dhe unë e kam marrë në pyetje”, ka thënë Koci.
Ai ka thënë se gjykimi ka qenë publik.
“Sa i përket prokurorit Blakaj, gjatë gjykimit është përmendur që ai ka qenë në Kryeministri për të marrë/konfiskuar formularët dhe dokumentet që lidhen me lëndën e sipërpërmendur.”