Avokati Arianit Koci ka treguar se ish-policit, Arbnor Spahiu i është caktuar masa e paraburgimit, nën akuzën për vrasje të rëndë, lidhur me rastin ‘Banjska’. Koci foli për Nacionalen nga Serbia, duke dhënë detaje.
“Arbnor Spahiut i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet serbe.
Po e akuzojnë për vrasje të rëndë – sipas nenit 114 paragrafi 1 pika 11 të Kodit Penal të Serbisë, e lidhur me rastin “Banjska”.
Kallëzimi penal është bërë nga ana e BIA-s serbe. Por e vërteta është krejt tjetër: Arbnori nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës në kohën e ngjarjes së pretenduar.” – tha Koci.
Tutje ai ka treguar absurditetin e kësaj akuze, sepse sipas tij ekzistojnë prova se ish-polici dha dorëheqje afërsisht një vit para ‘Banjskës’.
“Ka dhënë dorëheqje afërsisht një vit më parë – dhe jeton në Gjermani.
Për këtë kemi dorëzuar prova. Kjo nuk është procedurë penale – është përndjekje politike.
Dhe është pjesë e qartë e një zinxhiri veprimesh të koordinuara nga Serbia – për të frikësuar ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës. “
Tutje, Avokati ka ftuar Kryeministrin e Presidenten të reagojnë për rastin.
“Unë jam në Serbi për ta ndjekur personalisht këtë proces.
Ankesa do të ushtrohet brenda afatit ligjor prej 3 ditësh. Ministria e Jashtme, respektivisht ministrja Donika Gërvalla dhe Ambasadori i Kosovës në Serbi Jetish Maloku polici ma japin përkrahjen e duhur logjistike – dhe e vlerësoj.
Por nevojitet shumë më tepër: Kryeministri dhe Presidentja duhet të reagojnë zyrtarisht. Shteti i Kosovës nuk guxon të heshtë, kur qytetarët e vet përndiqen padrejtësisht jashtë territorit të vendit. Nëse Kosova nuk i mbron njerëzit e saj – kush do ta bëjë?” – u shpreh ai.