Kompania mbështetëse e Lëvizjes Vetëvendosje e cila vetëm dy javë më parë fitoi përsëri monopolin për furnizimin e aeroplanëve me kerozinë, “EX FIS”, ishte njëra prej financuesve kryesore të ekspozitës skandaloze “Maskarat në Kosovë 1998-1999”, ku u paraqitën të dhëna të gabuara për viktimat e luftës.
“EX FIS” dhe Kuvendi i Kosovës ishin dy prej shtatë donatorëve kryesor të ekspozitës skandaloze e cila filloi të shfaqej në sheshin e Prishtinës në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, më 24 mars.
Autori i kësaj ekspozite, Shkëlzen Gashi, kishte falënderuar donatorët për mbështetjen financiare kur njoftoi për hapjen e ekspozitës
“Nga sot, 24 mars 2026, deri më 7 prill 2026, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë do të qëndrojë ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e organizuar nga ADMOVERE dhe INTEGRA…. Kjo ekspozitë është realizuar me mbështetje financiare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, EXFIS, Libraria Dukagjini, JYSK, KFC, CHwB dhe Besa-Besë”, thuhej në postimin e Gashit më 24 mars.
“EX FIS”, përafërsisht dy javë më parë fitoi të drejtën për furnizimin e aeroplanëve me kerozinë në aeroportin “Adem Jashari”.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (CAA) ia kishte aporovuar kompanisë private “EX FIS” të drejtën e ofrimit të shërbimeve me kerozinë për një periudhë 7-vjeçare.
Monopoli për furnizimin me kerozinë i ishte dhënë pa iu nënshtruar konkurrencës në tregun e derivateve.
Për vite me radhë “EX FIS” ka ushtruar monopol në furnizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, duke arkëtuar dhjetëra miliona euro.
Sipas pasqyrave financiare të kompanisë “EXFIS” për vitin 2024, kjo e fundit ka deklaruar rreth 13.5 milionë euro fitim neto, përderisa fitimi i saj neto në vitin 2023 kishte qenë 9.6 milionë euro.
Vetëm në vitin 2021, sipas një artikulli të ‘Reporterit’, kompania “Ex Fis” kishte përfituar mbi 10 milionë euro bruto gjatë viteve 2018 dhe 2019, nga monopoli për furnizim me kerozinë në aeroport
“EX FIS” figuronte edhe në listën e financuesve të Lëvizje “Vetëvendosje” përgjatë zgjedhjeve të vitit 2020. Kompania e derivateve ishte njëra prej donatorëve më të mëdhenj në LVV. “EX FIS”, ia kishte dhuruar tashmë partisë në pushtet plot 9,534 euro.
Aleanca Kosovare e Bizneseve përmes një reagimi sot kërkoi nga bizneset financuese të kësaj ekspozite që të kërkojnë falje. Megjithatë, deri më tani, asnjëra nga to nuk e ka marrë një veprim të tillë.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, si njëri prej donatorëve kryesor tha se përgjegjësia i takon autorëve të ekspozitës.














