Komuna e Podujevës, e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar një kontratë mbi 55 mijë eurosh për hartimin e një projekti për rregullimin e lumenjve, megjithëse kishte oferta shumë më të lira. Tenderi, që kishte nisur të tentohej qysh nga nëntori i vitit të kaluar, ishte pezulluar disa herë para se të përfundonte me përzgjedhjen e një kompanie me çmim thuajse trefish më të lartë se oferta më e lirë. Insajderi ju sjell detaje.
Komuna e Podujevës me 21 korrik të këtij viti, ka nënshkruar kontratën për “Hartimin e projektit për rregullimin e lumenjëve”.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 60 mijë euro.
Tetë operatorë ekonomik kanë aplikuar për këtë tender.
Ndërkohë, fitues është shpallur operatori ekonomik ARHIKO.ING sh.p.k. Vlera e përgjithshme e kontratës është 55 mijë e 294 euro.
Edhe pse kishte oferta dukshëm më të ulëta, tenderi iu dha kompanisë me çmimin e parafundit më të lartë nga gjithsej tetë ofertues. OE Arhiko .ING është shpërblyer me mbi 55 mijë euro.
Ndërkohë kompania me çmimin më të lirë ofertues ka qenë 19 mijë euro. Që i bije se kompania fituese, ARHIKO .ING është shpërblyer me 36 mijë euro më shumë sesa oferta më e lirë.
Sipas njoftimit mbi vendimin e autoritetit kontraktues, thuhet se kompanitë e refuzuara nuk i kanë plotësuar kushtet e kontratës.
Sipas dosjes së tenderit, përpjekjet për ta dhënë këtë kontratë kishin nisur që në nëntor të vitit 2024, mirëpo procedura ishte pezulluar disa herë përgjatë muajve.
Kompania Arhiko .ING SH.P.K është në pronësinë e dy personave.
Skender Cakaj është drejtor menaxhues.
Shefshet Morina është drejtor.
Ndërkohë nuk dihet se çfarë kapitali me përqindje kanë të dy drejtorët.