Komuna e Obiliqit ka dhënë një tender në vlerë prej rreth 6 milionë euro për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes qendrore. Kjo kontratë i është dhënë kompanisë “ALL ZONE” SH.P.K., ndonëse oferta e saj nuk ishte më e lira në garë. Në këtë procedurë ishin pjesëmarrëse edhe kompani të tjera, të cilat kishin ofertuar deri në 1 milion euro më pak se kompania fituese. Lidhur me tenderin në OSHP ishin dorëzuar ankesa për kriteret e vendosura nga Komuna që udhëhiqet nga Xhafer Gashi i LDK-së.
Në anën tjetër, kompania që fitoi kontratën ka për drejtor një biznesmen që kishte mbështetur kandidatin e LDK-së, Përparim Rama, gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas dokumentit të publikuar në e-prokurim në kontratën për shtrirjen e rrjetës së ngrohjes qendrore oferta fituese ishte në vlerë prej 6,893,858.91 euro.
Në garë për këtë tender kishin ofertuar katër kompani.
Ndërsa një kompani tjetër kishte ofruar të realizonte të njëjtin projekt për se 5,865,211.19 euro, që është rreth 1 milion euro më pak.
Megjithatë, Komuna e Obiliqit ka zgjedhur të shpërblejë ofertën më të shtrenjtë.
Ankesa për diskriminim nga Komuna
Kur ishte hapur tenderi “Vazhdimi i shtrirjes së rrjetës së ngrohjes qëndrore“, ishin dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve.
Një kompani ishte ankuar se Komuna në njoftimin për kontratë ka vendosur kritere diskriminuese.
Aty thuhet se janë shkelur: Neni 7. Barazia në Trajtim/ Jo- Diskriminimi
Neni 60. Kriteret e dhënies
Neni 69. Aftësia teknike dhe/ose profesionale
Kush është kompania “All Zone”?
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të kompanisë, thuhet se “All Zone” është themeluar në vitin 2008 dhe paraqitet si një kompani udhëheqëse në fushën e ndërtimit dhe ngrohjes qendrore, me seli në Prishtinë, Kosovë.
Pronar i kësaj firme deri më 2015, tash zyrtarisht veç drejtor i operacioneve në të, Valon Zymberi kishte përkrahur haptazi tashmë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, në fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 2021-ës.
Gazeta Insajderi në të kaluarën ka raportuar gjerësisht për Zymberin dhe kompaninë “All Zone”, të përfshirë në projekte milionëshe në Prishtinë.
Në vitin 2020, pa shpallje publike përmes platformës zyrtare të “e-prokurimit”, kompania “All Zone” përfitoi mbi 4 milionë euro përmes kontratës T-2 për zgjerimin e sistemit të ngrohjes në kryeqytet.
Tenderi u realizua përmes bankës gjermane KfW, por në fund, pagesat kryesore u mbuluan nga ndërmarrja publike Termokos, e drejtuar nga zyrtarë të LDK-së. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, Termokosi planifikon të paguajë mbi 7.6 milionë euro për këtë projekt.
Zymberi, që dikur shfaqej hapur në fushatën zgjedhore të Përparim Ramës, nuk është figurë e re për organet e drejtësisë.
Në vitin 2012, ai ishte dënuar për mashtrim të Policisë së Kosovës, pasi përmes kompanisë “Idal Solucion” kishte tentuar të shiste një kamion të modifikuar si autoblindë për trazira, me vlerë mbi 200 mijë euro, ndërkohë që mjeti në fakt ishte një kamion transporti të mallrave, të transformuar në mënyrë të paligjshme.
Rasti u zbulua nga drejtues të lartë të Policisë, përfshirë Shpend Maxhunin dhe Fehmi Gjatën, të cilët e kapën kamionin në një servis në fshatin Mazgit. Pas zbulimit, Zymberi u dënua, por shtatë vite më pas u lirua pas rigjykimit – pa u dhënë ndonjë sqarim publik për këtë vendim.
Ai në gusht të këtij viti u bë sërish lajm pasi kishte lëshuar deklarata shqetësuese për përdorimin e substancave narkotike, shkruan Insajderi.
Valon Zymberi, biznesmeni i njohur nga Kosova dhe drejtor i kompanisë së fuqishme “All Zone”, ishte shfaqur në një transmetim të drejtpërdrejtë në TikTok me influencuesin shqiptar Kozak Braçi,
Gjatë këtij “live”, fillimisht Zymberit i dëgjohet vetëm zëri, por pas komenteve të ndjekësve që identifikuan biznesmenin kosovar, ai del hapur në kamera.
Në një moment, me krenari deklaron: “E përdori që 25 vite, krejt dhëmbët i kam të miat”, duke iu referuar përdorimit të drogës për një periudhë të gjatë kohore.
Në një tjetër pjesë të videos, ai dëgjohej duke i thënë Kozakut: “T’i kisha pru 10 gram mall, më të mirin”, ndërsa ky i fundit i përgjigjet me të qeshur se “me shumë qejf do ta pinte me të” dhe se “mbaron pas mallit”./Insajderi.org