Drejtoria e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës e ka arrestuar ish drejtorinë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të komunës së Mitrovicës, Fahri Jashari.
Veriu.info gjatë ditës së sotme ka raportuar për arrestimin e tij dhe se po i njejti është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ndërsa Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin edhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Raporti i plotë i Policisë:
Arrestohet një person për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”
Prishtinë, 08.09.2025
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas pranimit të një informate ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në K.K. Mitrovicë jugu.
Gjatë procedurave hetimore janë siguruar prova që lidhen me një kontratë të subvencionimit, ku dyshohet se është ndërhyrë në vlerën e saj në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm buxhetit publik.
Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave që dëmtojnë interesin publik dhe buxhetin e shtetit.