Kryediplomati Glauk Konjufca pas takimit që pati me kryediplomaten shqiptare, Elisa Spiropali, tha se këto takime me homologë nga Shqipëria nuk janë si takimet tipike bilaterale.
“Ndonëse kemi ministri të jashtme, Shqipëria dhe Kosova nuk janë të jashtme për njëra-tjetrën. Vendet tona janë shumë më tepër dhe takimet tona janë vëllazërore”.
Konjufca tha se kanë folur për thellim të bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe për “forcimin e ndërtimit të kapaciteteve tona të brendshme diplomatike”.
Ai më pas lavdëroi hapat e ndërmarrë të Shqipërisë drejt anëtarësimit të BE-së.
“E ardhmja jonë, ashtu si e kaluara, do të jenë të lidhura përgjithmonë. Sa më i fortë të jetë koordinimi ynë, aq më e sigurt do të jetë rruga jonë drejt BE-së. Dhe unë e përgëzoj Republikën e Shqipërisë për këta hapa gjigantë që i ka bërë sa i përket integrimeve europiane. Ne duam ta japim po ashtu të njëjtin shembull si Shqipëria. Prandaj, gjithnjë bashkëpunojmë drejt përmbushjes së aspiratave të kombit shqiptar”.













