Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Kukës dhe në zbatim të analizës së riskut dhe kontrolleve të përzgjedhura, kanë goditur disa raste të paligjshmërisë në hyrje të Republikës së Shqipërisë.
Në vijim të këtyre kontrolleve, u arrestua 22-vjeçari D.P., banues në Gjermani, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden. Gjykata e Cologne-s, në Gjermani, kishte lëshuar ndaj tij masën “arrest në burg” për veprat penale “Grup kriminal” dhe “Mashtrim”. Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij.
Po në hyrje të vendit, u arrestua në flagrancë shtetasi V.B., 30 vjeç, banues në Prishtinë, pasi gjatë kontrollit të automjetit tip “Volkswagen” që ai drejtonte, u gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë. V.B. akuzohet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Kufirit dhe Migracionit kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A.M., 22 vjeç, gjithashtu nga Prishtina, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën 14,300 euro të padeklaruara, në kundërshtim me ligjet në fuqi. Shuma u sekuestrua si provë materiale.
Policia Kufitare dhe strukturat hetimore do të vijojnë me kontrolle të shtuara për të parandaluar çdo përpjekje për aktivitet të paligjshëm në pikat kufitare./IndeksOnline/