Komuna e Prishtinës ka kryer shkelje serioze sipas raportit të ZKA-së për vitin 2024. Përveç, në menaxhimin financiar, dyshohen edhe për keqpërdorime të mëdha në kopshtin publiko-privat Botanika. Sipas raportit, në listë për subvencione ishin përfshirë katër fëmijë që nuk ishin fare në atë kopsht, ndërsa shtatë prindër kishin vazhduar të paguajnë tarifën e plotë mujore të çerdhes pavarësisht se ishin përfitues.
Gjatë vitit 2024, Komuna e Prishtinës ka paguar 58,820€ në formë të subvencionimit për kopshtin publiko-privat Botanika.
Në këtë proces gjatë auditimit janë identifikuar disa parregullsi që lidhen me mos zbatimin e kërkesave ligjore dhe mungesën e kontrollit nga Drejtoritë përgjegjëse.
Cilat janë gjetjet për Komunën e Prishtinës?
Ndonëse këto subvencione ishin paraparë për familjet me të ardhura më pak se 1 mijë euro, 7 prindër kishin vazhduar të paguajnë tarifën e plotë mujore të çerdhes, derisa 4 fëmijë që nuk kishin ndjekur fare kopshtin gjatë vitit 2024 ishin përfshirë në lista dhe kopshti kishte përfituar subvencione për ta.
Në raport thuhet se përfaqësuesi i Komunës nuk ka marrë pjesë në procesin e shqyrtimit të dokumentacionit dhe miratimit të listave.
“Listat e përgatitura nga kopshti, të cilat janë dorëzuar në Komunë për pagesë, ishin nënshkruar vetëm nga administratorja e kopshtit, pa përfshirjen e komisionit të plotë dhe pa nënshkrimin e përfaqësuesit të Komunës, ashtu siç kërkohet në vendimin e Kryetarit të Komunës”, thuhet në raportin që e ka parë Insajderi.
Listat ishin manipuluar duke raportuar të ardhurat e pasakta të prindërve që përfitojnë subvencion për fëmiun e tyre përmes përfshirjes në lista fëmijë përfitues që nuk i plotësonin kriteret për subvencionim; dhe u vërejtën tërheqje përmes bankomatit në vlerë prej 46,320€.
Shtatë prindër kishin paguar tarifën e plotë mujore, pavarësisht faktit që kopshti kishte përfituar subvencione në emër të tyre.
Ndërsa, katër fëmijë që nuk e kanë ndjekur kopshtin ishin përfshirë në lista. Sipas raportit të ZKA-së, kopshti ka përfituar subvencione për ta, ndërsa kishte falsifikuar të dhënat që ishin prezantuar si llogari bankare.
“Katër (4) fëmijë që nuk kanë ndjekur kopshtin gjatë vitit 2024 ishin përfshirë në lista dhe kopshti kishte përfituar subvencione për ta në vlerë totale prej 3,150€. Për qëllime të pagesës së subvencioneve, kopshti kishte ofruar në Komunë gjendjen e llogarisë bankare si dëshmi për verifikimin e pagesave mujore të prindërve për fëmijët e subvencionuar. Mirëpo, kjo dëshmi ishte falsifikuar pasi që të dhënat e prezantuara në llogarinë bankare të dorëzuar nuk përputheshin me të dhënat reale të pagesave mujore nga prindërit. Për shembull, prindi kishte paguar tarifën e plotë mujore prej 150€, ndërsa në gjendjen e llogarisë bankare të prezantuar në Komunë kjo pagesë ishte paraqitur si 50€, me qëllim që të arsyetohej përfitimi i subvencionit”, thuhet aty.
Në raport thuhet se kjo situatë ka ardhur si rezultat i mangësive në menaxhimin dhe kontrollin nga ana e Komunës.
Për më tepër, është evidentuar mungesë e përgjegjësisë institucionale nga ana e zyrtarëve kompetentë të Komunës dhe përfaqësuesve të kopshtit, të cilët nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar që procesi i subvencionimit të zhvillohet në mënyrë të rregullt, të drejtë dhe në përputhje me kërkesat ligjore.
“Ndikimi Mungesa e mbikëqyrjes së subvencioneve ka ndikuar në keqpërdorimin e fondeve publike dhe mundësinë për përfitime të padrejta. Kjo situatë cenon besueshmërinë dhe qëllimin e subvencionimit publik.
“Rekomandimi A2 Kryetari i Komunës duhet të sigurojë që Drejtoria e Arsimit dhe ajo e Financave të vendosin mekanizma funksionalë të kontrollit për procesin e subvencionimit, duke garantuar përfshirjen dhe funksionimin e komisionit për verifikimin dhe vlerësimin e dokumentacionit në përputhje me vendimin e miratuar. Po ashtu, duhet të zhvillohet një rishikim i plotë i subvencioneve të dhëna gjatë vitit 2024 për të identifikuar dhe adresuar përfitimet e pajustifikuara. Në rastet kur konstatohet përfitim në kundërshtim me kriteret, të merren masa ligjore dhe administrative për kthimin e fondeve publike
dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të përfshirë”, thuhet në raport.