Koreja e Veriut mund të dërgojë ushtarë shtesë në Rusi për të luftuar në luftën kundër Ukrainës në korrik ose në gusht dhe Penjani është duke vazhduar që ta furnizojë Moskën me armë, thanë ligjvënësit jugkoreanë të enjten, duke cituar të dhëna nga agjencia e inteligjencës.
Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare (NIS) i Koresë së Jugut beson se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për të nisur një sulm të shkallës së lartë kundër Ukrainës në korrik ose në gusht, tha para gazetarëve pas një diskutimi me dyer të mbyllura deputeti jugkorean, Lee Seong-kweun, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Koha e dislokimit shtesë është që ajo mund të jetë jo më larg se korriku ose gushti” – tha Lee, duke shtuar se agjencia e inteligjencës citoi një grumbullim të trupave për dislokim nga Koreja e Veriut dhe një vizitë të realizuar rishtazi në Penjan nga një zyrtar i lartë presidencial rus i sigurisë si bazë për vlerësimin e saj.
Si shpërblim për dërgimin e municionit të artilerisë dhe raketave nga Koreja e Veriut në Rusi, Penjani me gjasë është duke marrë këshilla teknike rreth lëshimit të satelitëve dhe sistemeve të drejtimit të raketave, tha Lee, duke e përmendur diskutimin me agjencinë e inteligjencës.
Pas disa muajve heshtje, Koreja e Veriut dhe Rusia i kanë zbuluar publikisht dislokimin e trupave koreanoveriore dhe rolin që ato e kanë luajtur në ofensivën ruse kundër Ukrainës për ta rimarrë nën kontroll rajonin e Kurskut.
Rusia dhe Koreja e Veriut kanë thënë se bashkëpunimi mes tyre është i mbështetur në traktatin që u nënshkrua nga udhëheqësit e dy vendeve në qershorin e vitit të kaluar, në të cilin përfshihet një pakt për mbrojtje reciproke.