Zgjedhjet e 9 shkurtit u zhvilluan qetë dhe në mënyrë paqësore sipas vlerësimeve të vëzhguesve. Por Komisioni Qendror i Zgjedhje që është përgjegjës për organizimin e tyre kritikua shumë. Vonesa në hapjen e vendvotimeve, votimi pas orës 19:00 në QKUK, pozicioni i kabinave dhe fshirja e ngjyrës së dukshme ishin disa nga çështjet që u ngritën, por më së shumti pati probleme në funksionimin e uebfaqes. Tashmë është konstatuar se institucioni që i organizon ato e ka njollosur vetë procesin
Mosfunksionimi i uebfaqes së KQZ, të dhënat që u paraqitën aty krijuan konfuzion
Pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi t’i shfaqë të dhënat preliminare në uebfaqen e saj. Ajo nganjëherë nuk hapej e nganjëherë nuk i shfaqte të dhënat që kërkoheshin.
Përveç kësaj, në një përditësim u shfaqën rezultate ku VV kishte më shumë se 55 për qind.
Në një konferencë për media, kryetari i KQZ’së, Kreshnik Radoniqi, kërkoi që të dhënat që përditësohen në këtë uebfaqe të mos jenë referencë. Ai shtoi se “nuk e di saktësisht” rezultatin aktual të votave, ndonëse tha se “mbetet që rezultatet e nxjerra në mënyrë manuale të jenë të sakta”.
“Unë nuk dua të spekuloj në ato. Kërkoj falje prapë si KQZ për ndoshta një dezinforimim të qytetarëve. Nuk e di saktësisht. Pra mbetet që rezultatet e nxjerra në mënyrë manuale të jenë të sakta”, tha Radoniqi, kur u pyet për disa shifra që u shfaqën në ëeb-faqen e KQZ-së.
Kreu i KQZ-së tha se të dhënat nga formularët “janë të sakta”.
“Çka unë dua të them, është që nga formularët ku janë numëruar votat, të dhënat janë të sakta dhe ata të dhëna nga formularët ne do t’i pasqyrojmë në të dhënat tona dhe do t’i japim rezultatet”, tha ai.
Ai shtoi se “integriteti i votës së qytetarëve nuk është cenuar”.
Të enjten kur shkoi në Presidencë, Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, “menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme”
“Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.
Një version për këto zhvillime e dha edhe zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, në një përgjigje për Gazetën Express. Ai tha se uebfaqja është mbingarkuar dhe se të dhënat do të mblidhen nga terreni e më pas do të publikohen nga KQZ.
Lidhur me këtë çështje tanimë është aktivizuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Nga kjo prokurori, në një përgjigje për Gazetën Express, kanë thënë se kanë kërkuar nga KQZ informacione për të vërtetuar nëse ka elemente të ndonjë vepre penale.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo.”
Nga DnV thanë se këto problemet teknike “krijuan konfuzion dhe ulën besimin e publikut në transparencën e procesit”.
“Kjo situatë la një impakt negativ në perceptimin për organizimin zgjedhor.”
Një ditë pas zgjedhjeve, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Express se është tejkaluar problemi me uebfaqen e KQZ’së.
Ai shtoi se të dhënat po shfaqen pa pengesa dhe se mund t’iu referoheni atyre.
Mirëpo Elezi dje ka thënë se integriteti i votës nuk është cenuar dhe pavarësisht vonesave rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta.
“KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre.”
Elezi ka bërë të ditur se i kanë bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që ta sqarojnë situatën dhe të mbështesin KQZ’së në anën teknike.
“Nisur nga fakti që të dielën në mbrëmje kishte probleme të mosfunksionimit të platformës për rezultatet preliminare, KQZ i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për mbështetje teknike. KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë dhe po punon që të përfundojë numërimi dhe adresimi i çështjeve teknike të mosfunksionimit.”
Vonesa në numërimin e votave të kandidatëve
Demokracia në Veprim ka thënë se numërimi i votave për kandidatë do duhej të fillonte të hënën në ora 08:00, por nisi pasditen e së martës.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve.”
DnV ka shtuar se nëse KQZ nuk i ndan informatat me kohë dhe në mënyrë transparente do të dëmtohet besimi i qytetarëve në rezultatet.
“Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.”
DnV publikoi rezultatet preliminare për subjektet politike të dielën pak pas orës 22:00.
LVV: 40,4% (Margjina e gabimit +/-1,44%)
PDK: 21,7% (Margjina e gabimit +/-1,45%)
LDK: 17,5% (Margjina e gabimit +/-0.97%)
AAK- NISMA: 7,2% (Margjina e gabimit +/-0.82%)
Koalicioni për Familjen: 2,4% (Margjina e gabimit +/-0,21%)
SL: 5,4% (Margjina e gabimit +/-1,68%)
SPO: 0,6% (Margjina e gabimit +/-0,19%)
Vonesa në hapjen e vendvotimeve e votimi pas orës 19:00 në QKUK
Në ora 07:00 parashihej që të hapeshin vendvotimet, mirëpo sipas organizatës Demokracia në Veprim një gjë e tillë nuk u bë në 9 për qind të vendvotimeve. DnV tha se arsyeja kryesore ishte mungesa e komisionerëve.
“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 9% e vendvotimeve. Është raportuar se shkak i vonesave të hapjes së vendovotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt. Vëzhguesit kanë raportuar se posterët informues kanë munguar në 15% të Qendrave të Votimit, edhepse në këto zgjedhje kanë ndryshuar disa procedura të votimit dhe kjo mund të shkaktojë huti tek votuesit”, thuhej në komunikatën e DnV’së.
Ndërkaq votimi vazhdoi edhe pas orës 19:00 në QKUK. Gazetari i shëndetësisë, Bujar Vitija, ka publikuar një fotografi nga Klinika e Pulmologjisë, ku shihen disa persona duke votuar.
“Ne keto momente eshte tu vazhdu procesi i votimit ne QKUK. Kjo foto eshte bo para pak minutave ne Kliniken e Pulmologjise. A nuk ish dasht me u mbylle procesi ne ora 19:00?”
Pozicionimi i kabinave; fshirja e ngjyrës matrikuluese
Një tjetër çështje që u ngrit ishte edhe vendosja e kabinave të votimit. Sipas DnV’së, ato janë vendosur në një mënyrë që cenon fshehtësinë e votës.
“Gjatë organizimit të zgjedhjeve, KQZ mori disa vendime që u kritikuan për cenimin e fshehtësisë së votës. Një prej tyre ishte vendosja e kabinave të votimit në pozita ballore, e cila u konsiderua problematike pasi rrezikonte ekspozimin e preferencave të votuesve. Ky vendim u ndryshua pas presionit nga shoqëria civile. Për të rritur transparencën dhe parandalimin e manipulimeve, KQZ vendosi të shfrytëzojë kamera në vendvotime për regjistrimin e procesit zgjedhor.”
Ndërkaq pati raportime se ngjyra matrikuluese që u përdor për shënjimin e votuesve po fshihet lehtë. Pati fotografi ku një votuesit i ishte fshirë ajo.
Vendimi për përdorimin e kësaj ngjyre ishte kritikuar nga organizatat e shoqërisë civile dhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
“Një nga sfidat teknike kryesore të këtyre zgjedhjeve ishte çështja e ngjyrës matrikuluese. Procesi i tenderimit për këtë material u shoqërua me vonesa dhe probleme cilësore, të cilat rezultuan me raportime për fshirje të lehtë të saj nga gishtat e votuesve. Për më tepër, vetë përdorimi i matrikulimit si metodë për shënimin e votuesve u kritikua nga organizatat e shoqërisë civile dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi, të cilat e konsideruan atë si shkelje të fshehtësisë së votës.”
Shefja e Misionit të Bashkimit Europian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Europian, e ka vlerësuar procesin zgjedhor të 9 shkurtit si “paqësor dhe konkurrues”, mirëpo ka dhënë edhe disa vërejtje që si vëzhgues i kanë hasur gjatë ditës së votimit.
Sfidat me të cilat është përballur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas saj, kanë qenë punësimi, trajnimet dhe prokurimi, gjë që më pas, siç ka thënë ajo, mund të kenë ndikuar në vonesat e numërimit të votave nga ky inistitucion.
E për ata që i njohin procesin zgjedhor dhe legjislacionin me të cilën organizohet telashet e kanë burimin pikërisht te ndryshimet që janë bërë në ligj.
“Në Kosovë ka një tendencë për të prishur gjëra që kanë funksionuar mirë. Këtë e dëshmojnë edhe disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, për të cilat kishim paralajmëruar me kohë” ka shkruar Albert Krasniqi nga Demokracia Plus i cili ka numëruar të metat.
Më poshtë postimi i plotë i Krasniqit.
1. Numërimi i votave të kandidatëve në qendrat komunale të numërimit, ndaras nga votat e subjekteve politike, jo vetëm që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare, por është edhe një operacion i ndërlikuar zgjedhor për të cilin nuk kemi staf të kualifikuar. Mezi menaxhohej një QNR, e lëre më 38 të tilla nëpër komuna. Ky ndryshim shkakton vonesa dhe rrit tensionet.
2. Rritja e numrit të preferencave për kandidatë nga 5 në 10 nuk përputhet me sjelljet e votuesve. Deri tani, ata mezi përzgjidhnin 4 kandidatë nga lista. Ky ndryshim ka krijuar tollovi në vendvotime, duke zgjatur kohën që votuesi kalon në kabinë dhe duke zvogëluar gjasat që kandidatët lokalë të përfaqësohen në Kuvend.
3. Votimi fizik në përfaqësitë diplomatike është një proces i kushtueshëm, i vështirë për t’u menaxhuar dhe i hapur ndaj keqpërdorimeve. Për numrin e vogël të votuesve që morën pjesë, ky ndryshim nuk ia vlen. Lehtësirat e bëra për votimin me postë në adresat e ambasadave kanë ulur kostot për mërgimtarët, të cilët më parë duhej të përdornin shërbime të shtrenjta postare për të siguruar që vota e tyre të arrinte në kohë në Kosovë.
4. Zëvendësimi i ngjyrës së padukshme, që detektohej me llampë UV, me ngjyrën e dukshme jo vetëm që nuk funksionoi mirë, por gjithashtu rrit rrezikun për presion ndaj votuesve, të cilët mund të detyrohen të votojnë ose të mos votojnë sipas kërkesave të dikujt tjetër.
5. Heqja e heshtjes zgjedhore. Edhe pse ka vende që nuk e zbatojnë këtë praktikë, heshtja zgjedhore i jepte votuesve hapësirën e nevojshme për të reflektuar qetësisht para ditës së votimi