Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndryshuar datën e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Sipas propozimit fillestar, shorti ishte planifikuar të mbahej më 8 dhjetor, por vendimi u rishikua në mbledhjen e radhës së KQZ-së.
Kjo mbledhje u shoqërua me tensione dhe u ndërpre përkohësisht pas përplasjeve mes anëtarëve rreth rendit të ditës, ku pika më e debatueshme ishte shqyrtimi i afateve dhe opsioneve të votimit me postë. Arianit Elshani nga PDK kërkoi që kjo çështje të hiqet nga rendi i ditës dhe të diskutohet në një takim tjetër.
Në anën tjetër, Alban Krasniqi, përfaqësues i Vetëvendosjes në KQZ, kundërshtoi ashpër, duke paralajmëruar se çdo vonesë në përcaktimin e procedurave për votimin nga diaspora mund të rrezikojë seriozisht të drejtën e saj për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Pas debatit, kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se mbledhja do të shkojë në pauzë dhe do të rifillojë më pas me diskutime të mëtejshme.
Ndërkohë, drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur se tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet të nesërmen, me fillim nga ora 14:00.














