Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të votave të diasporës.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Reporteri.net se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13 mijë pako dhe pastaj të njëjtat do të numërohen.
“Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e më shumë se 13,000 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Para numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë vendit, të enjten në mesditë ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit i tyre, që ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar nga shtetasit e Kosovës që janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës. Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë me dihje se numri i të regjistruarve për të votuar për balotazh ishte gati 30 mijë.
“KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar. Gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave ishte: 29,725 votues”, ka thënë Elezi./Reporteri.net












