Albert Krasniqi thotë se “lufta” e sinkronizuar e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti kundër mediave dhe gjyqësorit, bëhet për ruajtjen e pushtetit dhe privilgjeve që ofron ai.
Anëtari i shoqërisë civile tha sot se dy liderët institucionalë duan të kapin e Prokurorinë e Shtetit në mënyrë që të përdorin atë si mjet presioni ndaj gazetarëve kritikë.
Postimi i plotë:
Gjithnjë e më qartë po shfaqet fakti se sulmet e sinkronizuara të Osmani-Sadriut dhe Kurtit ndaj gjyqësorit dhe mediave nuk kanë të bëjnë me ndonjë “luftë kundër lidhjeve me Serbinë”, por synojnë vetëm ruajtjen e pushtetit dhe privilegjeve që ai ofron.
Pikërisht për këtë arsye, përbërja e Gjykatës Kushtetuese mbahet e paplotë, sepse pushtetit i nevojiten figura që do të legjitimojnë vendimet kundërkushtetuese. Në të njëjtën linjë, është bllokuar edhe zgjedhja e Kryeprokurorit, pasi kërkohet dikush i gatshëm të përdorë ndjekjen penale si mjet presioni, madje edhe ndaj gazetarëve kritikë.
Sa më shumë të rrezikohet pushteti, aq më agresive e të dukshme do të bëhen këto manovra./Indeksonline/