Përderisa ka konfirmuar se po përgatitet një listë me kushte për një marrëveshje të përkohshme, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peksov, ka thënë se pret që Rusia dhe Ukrainë të diskutojnë kushtet për një armëpushim, gjatë javës së ardhshme në Stamboll.
Duke vlerësuar e lavdëruar rolin e SHBA-së si ndërmjetës në këtë process, Moska ka propozuar që raundi i dytë i bisedimeve me Kievin të mbahet më 2 qershor në Stamboll. Megjithatë, pala ukrainase ka kërkuar që Rusia të paraqesë paraprakisht propozimet për një marrëveshje paqeje, përpara se të dërgojë delegacionin e saj në Turqi.
Agjencia Reuters ka raportuar më herët gjatë javës se ndër kushtet e Vladimir Putinit për t’i dhënë fund luftës është edhe kërkesa që liderët perëndimorë të zotohen me shkrim se do të ndalin zgjerimin e NATO-s drejt lindjes. Megjithatë, Peskov ka shtuar se nuk do të bëjë publike detajet e memorandumit.
Kujtojmë se, i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, u shpreh të premten se shqetësimet e Rusisë për zgjerimin e NATO-s janë të “arsyeshme” dhe se SHBA-të nuk duan ta shohin Ukrainën pjesë të aleancës ushtarake të udhëhequr nga Amerika.
Ndërsa, duke komentuar këtë deklaratë, Peskov theksoi se presidenti Putin ka qenë gjithmonë i qartë në qëndrimin e tij se zgjerimi lindor i NATO-s është i papranueshëm për Rusinë.
“Jemi të kënaqur që këto qëndrime të presidentit po kuptohen, përfshirë edhe në Uashington. Dhe natyrisht, kjo është diçka që na josh në kontekstin e rolit ndërmjetësues që SHBA-të po vazhdojnë të luajnë,” është shprehur Peskov.