Analisti politik Visar Ymeri, ka thënë se kanë dalë disa probleme për formimin e institucioneve, që nuk janë pritur, si rinumërimi, mos certifikimi i rezultateve të Listës Serbe e vendimi i Kushtetueses për Nenad Rashiqin.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic tha se kjo mund të çojë në bllokim të procesit.
“Kur vijmë te krijimi i institucioneve, fillimisht konstituimi i Kuvendit e më pas dhe formimi i qeverisë, janë disa çështje dhe disa probleme, disa i kemi ditur paraprakisht, e disa që na kanë dalë rrugës, askush nuk e ka menduar se do të na zgjatet procesi me rinumërim por ja që doli, pastaj problemi me Listën Serbe, kush e ka pritur që do të vijmë në një pikë që nuk do të certifikohen rezultatet e deputetëve të Listës Serbe nga KQZ, tash duhet pritur shqyrtimi i ankesës, kjo e zvarrit procesin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarin që vjen nga komuniteti joshumicë serb po ashtu e ka vështirësuar, edhe pse i drejtë dhe kushtetues, e ka paraqitur edhe një pengesë, sepse deri tash kemi parë që qëndrimi i VV-së është që nuk e votojnë përfaqësuesin nga Lista Serbe dhe mendoj se kjo ka mundësi të bllokimit të procesit”, u shpreh ai.
Ymeri foli dhe për mundësinë për bashkëpunim në mes të VV-së e LDK-së për formim të qeverisë, teksa tha se kjo do të ishte e pakuptimtë dhe jo e arsyeshme, pasi gjatë tërë vitit të kaluar e ka refuzuar atë.
“Për sa i përket formimit të qeverisë, nuk kam parë që ka pasur gatishmëri të shprehur as nga VV se kërkon partner qeverisës, mbase do të kërkojë, këtë nuk e dimë ende, deri tani çfarë ka kërkuar VV ka qenë bashkëpunim në Kuvend, dakordancë për ato vota që duhet të jenë 80 për marrëveshjet ndërkombëtare e që nuk mendoj se do të ketë ndonjë problem për kalimin e tyre por pastaj është çështja e presidentit që mund të jetë një prej pengesave të mëdha që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, tash nëse do të ketë ndërkohë kërkesë për koalicion me LDK-në, nuk e di si do të sillet LDK, pritet që kryetari Abdixhiku ta provojë edhe një rrugë përpara në krye të LDK-së. Për mua do të ishte e pakuptimtë dhe e paarsyestueshme që tani të hyjnë në koalicion me VV-në, kur gjatë tërë vitit të kaluar kishin një ftesë dhe kërkesë dhe e refuzuan koalicionin, pra, a është bërë VV më e mirë tash apo çka ka ndodhur nëse ndodhë një gjë e tillë, por të gjitha këto janë hipotetike, sepse me sa kam parë nuk është se ka ndonjë interes nag cilado parti që të kemi një qeveri të koalicionit, sepse VV i ka votat për ta bërë qeverinë vet dhe s’ka nevojë për partner qeverisës”, ka deklaruar Visar Ymeri./Gazeta Blic/













