Përderisa partitë politike presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kërkesat e PDK-së dhe LDK-së lidhur me interpretimin kushtetues rreth komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, gjykata ende nuk ka filluar shqyrtimin e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i Gjykatës, Veton Dula, tha për Gazetën Sinjali se lëndët janë ende në procedim.
“Kërkesat e PDK-së dhe të LDK-së ende janë në procedim”, tha Dula për Sinjalin.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar më 3 korrik në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimet e saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kërkesa e PDK-së konteston katër veprime që janë realizuar gjatë këtyre seancave:
Kërkesa për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë,
Hedhjen në votim të këtij Komisioni,
Vetë votimin e Komisionit,
Ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
Sipas PDK-së, këto veprime janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, siç thuhet në njoftimin e partisë, ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.
LDK, e cila më 4 korrik dorëzoi një kërkesë të veçantë në Kushtetuese, kundërshton vazhdimin e seancës konstituive pas aktgjykimit të kësaj gjykate.
“Në vlerësimin tonë ky vendim është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Konstituimi i organeve të Kuvendit është përgjegjësi e grupit më të madh parlamentar, i cili duhet të veprojë me përgjegjësi, në bashkëpunim me subjektet e tjera politike, dhe në përputhje me rendin kushtetues dhe procedurat parlamentare.
Ngërçi institucional nuk zgjidhet me veprime të njëanshme, por me dialog, respekt për Kushtetutën dhe konsensus politik”, tha zyrtari i LDK-së, Shkëmb Manaj.
Bllokada e krijuar në Kuvend tash e disa muaj, nesër do të pasohet me një përpjekje të re për konstituimin e Kuvendit, derisa afati për përfundimin e seancës konstituive, i përcaktuar nga Kushtetuesja, vetëm sa po afrohet.