Kryesuesi i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve në Mitrovicë, Jahir Sumiçi, ka deklaruar se përfaqësuesit e subjektit të tij dhe të koalicionit kanë bojkotuar procesin e numërimit, pasi sipas tij prokurori i rastit ka ushtruar presion për vazhdimin e punës pavarësisht parregullsive të evidentuara.
“Ne e kemi bojkotuar sepse prokurori i rastit në mënyrë të njëanshme ka bërë presion që të vazhdojë procesi i numërimit, por ne si Parti Demokratike e Kosovës së bashku me koalicionin kemi refuzuar që të vazhdojë numërimi, me ç’rast e kemi bojkotuar numërimin dhe punën. Më pas kanë ardhur organet përgjegjëse dhe zyrtarisht e kanë ndërprerë numërimin,” deklaroi Sumiçi.
Ai tha se procesi i numërimit ka filluar në orën 10:00 dhe ka zgjatur deri në orën 19:00, gjatë së cilës janë hapur 35 kuti votimi. Sipas tij, në 10 prej tyre janë vërejtur parregullsi të theksuara në dokumentacion dhe fletvotime.
“Në disa vendvotime ka fletvotime që kanë lëvizur nga një klasë në tjetrën apo nga një shkollë në tjetrën. Mund të ketë 1 ose 2 gabime hipotetike të shtypit, por janë 10 vendvotime që kanë shpërputhje në numrat serikë dhe numrat e vendvotimeve,” shtoi ai.
Sumiçi theksoi se gjetjet në terren janë në kundërshtim me qëndrimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai përmendi disa shkolla ku janë vërejtur mospërputhje të tilla.
“Ajo çfarë ne kemi gjetur këtu është e kundërta me atë që thotë KQZ-ja. Për shembull, në shkollën Abdullah Shabani që ka numrin 11/02, në klasën 11 ka fletvotime me numrin 10, pra është 11/02/10. Të tilla raste ka edhe në shkollën Migjeni, në Abdullah Shabani, në Universitet dhe në shkollën e Zhabarit. Kjo është e faktuar,” tha ai.
Pas evidentimit të parregullsive, Sumiçi tha se është njoftuar Policia e Kosovës, e cila më pas ka lajmëruar hetuesinë dhe prokurorin e rastit. Sipas tij, pavarësisht këtyre gjetjeve, prokurori ka insistuar që procesi të vazhdojë.
“Kur ka ardhur prokurori, ka thënë se asgjë nuk është e jashtëzakonshme, duke na bërë presion që të vazhdojmë numërimin,” përfundoi Sumiçi.













