Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi pas tri vrasjeve brenda 24 orëve që tronditën qytetin.
“Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë dhe të gjithë Republikës së Kosovës, dy ditët e fundit kanë sjellë ndodhi tragjike që na kanë prekur të gjithëve thellë”, ka shkruar Idrizi në Facebook.
“Si Kryetar i Komunës, nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe shqetësimin që ndiej për humbjen e jetëve të tre qytetarëve të komunës tonë”.
“Ky ka qenë një moment shumë i vështirë për të gjithë ne dhe për komunitetin tonë. Për këtë arsye, direkt kam thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi”.
Ai tha se organet e sigurisë tashmë po i trajtojnë këto raste dhe se drejtësia do ta thotë fjalën e fundit.
“Në këto momente të vështira, ngushëllimet e mia shkojnë për familjarët e viktimave dhe për të gjithë qytetarët e Vushtrrisë që po përjetojnë këtë dhimbje të papërshkrueshme”.
“Organet e sigurisë po i trajtojnë këto dy raste dhe ne presim që drejtësia ta thotë fjalën e fundit”.
“Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”.