Sot është afati i fundit për dërgimin e komenteve në Gjykatën Kushtetuese.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese komente në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
E në lidhje me këto zhvillime ka folur për “Gazeta Blic”, ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Kryeziu tha se çështja që po trajtohet aktualisht në Gjykatën Kushtetuese nuk ka vetëm implikime procedurale por prek në çështje të rëndësisë më fondamentale të parimeve themelore të organizimit shtetëror.
Ai tha se nëse parashtresa e Listës Serbe trajtohet gabimisht, themelet kushtetuese të Republikës së Kosovës janë në rrezik.
“Çështja që po trajtohet aktualisht në Gjykatën Kushtetuese, sipas parashtresës së ngritur nga “Lista Serbe”, nuk ka vetëm implikime procedurale, por prek në çështje të rëndësisë më fondamentale të parimeve themelore të organizimit shtetëror, të përcaktuara në nenin 1 dhe 3 të kushtetutës.Këto çështje kanë implikime ne karakterin e rregullimit më themelor kushtetues dhe si të tilla prekin edhe vetë stabilitetin e ardhshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, potencialin për rrënim nga brenda, përfshirë edhe dëmin e pariparueshëm për raportet ndër etnike.Nëse parashtresa e Listës Serbe trajtohet gabimisht, themelet kushtetuese të Republikës së Kosovës janë në rrezik dhe përballë këtij rreziku Presidenti i Republikës nuk mund dhe nuk guxon të qëndrojë anash” tha Kryeziu për “Gazeta Blic”.
Kryeziu e cilësoi të drejtë vendimin e Presidentes Osmani për të dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese.
“Presidentja Osmani me shumë të drejtë është duke dërguar komente në Gjykatën Kushtetuese, kjo është detyrë dhe përgjegjësi e saj” tha Kryeziu për “Gazeta Blic”.
Lajmin se Presidentja Osmani do të dërgojë sot komente në Kushtetuese e ka konfirmuar këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina.
Kupina nuk dha detaje për përmbajtjen e komenteve, mirëpo tha se qëndrimi i presidentes është që askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet.
“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator. Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve.” tha Kupina raporton “Gazeta Blic”.