Drejtor i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kërkuar nga partitë politike që fushatën e tyre zgjedhore ta fokusojnë në çështje konkrete.
Ai ka vlerësuar se pas akreditimit të partive dhe kandidatëve fushata hyn në fazën ku debati duhet të fokusohet te programet dhe zgjidhjet konkrete.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se fushatat e bazuara në programe i shërbejnë më së miri debatit me qytetarë, shumë më tepër se sa sloganet.
“Pas akreditimit të partive dhe kandidatëve, si dhe pas shortit për renditjen në fletëvotim, fushata hyn në fazën ku debati duhet të fokusohet te programet dhe zgjidhjet konkrete. Qytetarët presin përgjigje për sfidat që i prekin çdo ditë: – Zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës; – Sigurimin shëndetësor dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore; – Cilësinë e arsimit; – Sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit; – Politikat për të rinjtë dhe çështjen e migrimit; – Avancimin e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore; – Marrëdhëniet ndërkombëtare etj.etj. Fushatat e bazuara në programe, të mbështetura në të dhëna dhe politika të matshme, i shërbejnë më së miri debatit me qytetarë, shumë më tepër se sa sloganet”, ka shkruar ai.













