Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në 26-vjetorin e rënies së tyre.
“Jemi këtu në Rreze të Krushës së Madhe, që të përkujtojmë rënien heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, që u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit tonë, të popullit tonë, të shoqërisë e të kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve”, tha kryeministri Kurti duke përkujtuar jetën, veprën dhe idealet e tyre të cilat duhet të jenë udhërrëfyes për të gjithë neve pavarësisht prej pozitave që mbajmë dhe situatave ku ndodhemi.
Ai shtoi se gjatë luftës çlirimtare nuk është ndalur asnjëherë kënga e lirisë e këngën e lirisë nuk e ndalim as në paqe e kjo tregon që teksa kemi dhembje e pikëllim, teksa na mungojnë bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, gjaku i të cilëve është në themelet e shtetit tonë, në të njëjtën kohë ne jemi shumë krenar që i patëm dhe që kemi kë ndjekim për rrugën tonë përpara.
“Dalip Behra dhe Bekim Gashi janë frymëzuar nga kënga shqipe, janë frymëzuar nga heronjtë, dëshmorët dhe martirët, e betejave më të hershme të etapave të të kaluarës të kombit tonë, por edhe nga shkrimet, mësimet, e intelektualëve të mëdhenj të popullit tonë, e në krye të herës padyshim që duhet vendosur profesor Ukshin Hoti, bacën Ukë, të cilit i ka qëndruar gjithmonë pranë pikërisht Ismet Gashi, babai i dëshmorit Bekim Gashi. Brezat kur lidhen ata e formojnë historinë, por në të njëjtën kohë edhe trasojnë rrugën për të ardhmen. Ne e përkujtojmë sa i madh ishte çmimi i lirisë, sa e lartë ishte sakrifica e tyre, por edhe sa fisnike është përgjegjësia e jonë teksa e vazhdojmë rrugën e tyre”, tha kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij, theksoi se luftëtarët e UÇK-së kishin dy detyra: njëra ishte të përballeshin në beteja me forcat armike të okupatorit serb e tjetra ishte ta mbronin popullsinë civile. Dhe që të dyja këto shprehen edhe tek jeta, vepra dhe rënia heroike e Dalip Behrës dhe Bekim Gashit. Pasiqë i kishin varrosur kufomat e masakrës në Krushë të Madhe, ata punën e tyre për popullin tonë, e vazhdojnë edhe me betejë ballë përballë me armikun, ku edhe bien heroikisht.
“Prandaj teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët, që e mësojmë nga gjyshërit ose nga librat e historisë, pra ajo ndodhet thellë në lëkurën, zemrat, mendjen dhe ashtin e secilit prej neve, me qenë se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”, përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuara familje Behra dhe Gashi,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar ish të burgosur politik dhe veprimtarë të çështjes kombëtare,
I nderuari kryetar i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,
I nderuari ish komandant i Brigadës 124 “Gani Paçarizi”,
I nderuari kryetar i organizatave të dalura nga lufta në Rahovec, Qemajl Krasniqi,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Jemi këtu në Rreze të Krushës së Madhe, që të përkujtojmë rënien heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, që u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit tonë, të popullit tonë, të shoqërisë e të kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindësve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve.
Një ardhmëri e cila është e lirë, e begatshme, e cila nuk diskriminon e nuk privilegjon asnjeri, por sjell drejtësi e përparim, pa lënë asnjeri mbrapa. Këto janë idealet e dëshmorëve, të cilat duhet të jenë udhërrëfyes për të gjithë neve pavarësisht prej pozitave që mbajmë dhe situatave ku ndodhemi. Gjatë luftës çlirimtare nuk është ndalur asnjëherë kënga e lirisë e këngën e lirisë nuk e ndalim as në paqe.
Kjo tregon që teksa kemi dhembje e pikëllim, teksa na mungojnë bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, gjaku i të cilëve është në themelet e shtetit tonë, në të njëjtën kohë ne jemi shumë krenar që i patëm dhe që kemi kë ndjekim për rrugën tonë përpara.
Andaj, edhe para se të fillojë ky tubim, kishim këngët e lirisë, nga ato për kryekomandantin Adem Jashari e deri tek ato për komandantin Tahir Sinani. E Dalip Behra dhe Bekim Gashi janë frymëzuar nga kënga shqipe, janë frymëzuar nga heronjtë, dëshmorët dhe martirët, e betejave më të hershme të etapave të të kaluarës të kombit tonë, por edhe nga shkrimet, mësimet, e intelektualëve të mëdhenj të popullit tonë, e në krye të herës padyshim që duhet vendosur profesor Ukshin Hoti, bacën Ukë, të cilit i ka qëndruar gjithmonë pranë pikërisht
Ismet Gashi, babai i dëshmorit Bekim Gashi.
Brezat kur lidhen ata e formojnë historinë, por në të njëjtën kohë edhe trasojnë rrugën për të ardhmen. Ne e përkujtojmë sa i madh ishte çmimi i lirisë, sa e lartë ishte sakrifica e tyre, por edhe sa fisnike është përgjegjësia e jonë teksa e vazhdojmë rrugën e tyre.
Bekim Gashi dhe Dalip Behra, si pjesëtarë të Brigadës 124 të zonës operative të Pashtrikut, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bënë krejt çfarë ditën e mundën dhe dhanë krejt çfarë patën, edhe jetën e tyre, në mënyrë që ne të jetojmë të lirë dhe ta gëzojmë shtetin tonë si republikë, të cilët e gjejnë pikërisht në shkrimet e të madhit Ukshin Hoti. Luftëtarët e UÇK-së kishin dy detyra: njëra ishte të përballeshin në beteja me forcat armike të okupatorit serb e tjetra ishte ta mbronin popullsinë civile. Dhe që të dyja këto shprehen edhe tek jeta, vepra dhe rënia heroike e Dalip Behrës dhe Bekim Gashit. Pasi që i kishin varrosur kufomat e masakrës në Krushë të Madhe, ata punën e tyre për popullin tonë, e vazhdojnë edhe me betejë ballë përballë me armikun, ku edhe bien heroikisht.
Prandaj, teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët, që e mësojmë nga gjyshërit ose nga librat e historisë, pra ajo ndodhet thellë në lëkurën, zemrat, mendjen dhe ashtin e secilit prej neve, me qenë se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm.
Lavdi Dalip Behrës, Bekim Gashit, dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar!