“Forcimi i ushtrisë së Kosovës dhe mbrojtja e territorit të saj si i patjetërsueshëm, është obligim që del nga sakrifica e dëshmorëve të kombit”.
Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti, nga homazhet që i bëri në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies së dëshmorëve Dalip Behra dhe Bekim Gashi.
Në 26-vjetorin e rënies së tyre, Kurti ka thënë të dielën se duhet të risillet në kujtesë se sa i madh ishte çmimi i lirisë dhe sa fisnike është përgjegjësia për ta vazhduar rrugën e tyre.
Kësisoj ka thënë se nga sakrificat e dëshmorëve dalin edhe obligimet për ta forcuar ushtrinë dhe për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës.
“Betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”, ka thënë Kurti.
Se forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes është prioritet i Qeverisë, ka thënë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë takimit me presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Prof Haluk Görgün, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias.
“Diskutuam bashkëpunimet që mund të zhvillohen midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes si dhe hapat strategjikë që do të kontribuojnë në sigurinë rajonale. Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes forcon marrëdhëniet mes vendeve tona Kosovë – Turqi si dhe kontribuon fuqishëm në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona duke krijuar vetëqëndrueshmëri për municione të kalibrave të ndryshëm”, ka thënë Maqedonci.
Këtë vit Qeveria ka ndarë mbi 200 milionë euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Për katër vjet të mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje në Qeveri buxheti për FSK-në është rritur nga 67 në 208 milionë euro.
Kjo parti, e cila i ka fituar zgjedhjet, është zotuar se në mandatin e ri, ushtrisë do t’i ndahen mbi 1 miliard euro dhe do të ndërtohet fabrika e municioneve dhe dronëve ushtarakë “Made in Kosova”.