Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin Hysen Durmishi, kanë marrë pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të një segmenti të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.
Kurti dhe ministrat inauguruan segmentin e rrugës Stanovc-hyrja e Vushtrrisë.
Pas prerjes së shiritit, Kurti u pyet nga gazetarët se në një pjesë të segmentit të rrugës, trotuarët nuk janë të përfunduara dhe se “anësoret e rrugës janë valë-valë, të panivelizuara”.
“Unë këtu erdha në inaugurim, nuk erdha për ta provu herën e tretë valët asfaltit. Ndoshta për këtë aspekt, mund të flas ministri”, tha Kurti.
Ai tha se në ceremoni ka shkuar për të prerë shiritin, e jo për çështje teknike.
“Po, prandaj pas pas prerjes së shiritit ne ecim në rrugë, jo përpara, se qashtu ka qenë në të kaluarën. Në të kaluarën d.m.th. së pari zbatimi, i cili s’kryhej, e në fund planifikimi. Tash është planifikimi, prerja e shirit edhe e shohim a ka valë apo s’ka valë”, tha Kurti.
Ministri Liburn Aliu u shpreh se përfundimi i këtij segmenti të rrugës është një hap i rëndësishëm.
“Është e rëndësishme që të gjitha projektet që po bëhen tash në Kosovë, kanë mbikëqyrje profesionale, ndonëse kanë vështirësi të mëdha edhe operatorët ekonomik me staf të profesionalizuar, por ka një vullnet të madh edhe nga ana e Ministrisë, edhe nga ana e qeverisë, që këto projektetë finalizohen”, tha Aliu.
Zëvendësministri Hysen Durmishi tha se segmenti tjetër i rrugës pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.