
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e tij ka bërë katër rritje graduale vjetore të pagave, dhe se paga mesatare në sektorin publik është rritur me 46%, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se ka zvogëluar hendekun midis pagave më të larta dhe më të ulëta.
“Reformuam sistemin e pagave në sektorin publik duke zvogëluar hendekun midis pagave më të larta dhe më të ulëta – nga 20:1 siç ishte më parë, në 4:1 siç është tani. Bëmë katër rritje graduale vjetore të pagave, nga të cilat dy të fundit ishin rritje absolute dhe jo proporcionale, duke i ndihmuar kështu më shumë ata me pagat më të ulëta. Për shembull, nëse të gjithë marrin një rritje prej 100 dollarësh, ata me një pagë më të ulët do të përfitojnë më shumë, në terma të përqindjes, sesa ata me një pagë më të lartë. Kjo ka ndihmuar në mbylljen edhe më tej të hendekut midis pagave më të ulëta dhe më të larta në sektorin publik. Gjatë mandatit tonë katërvjeçar, paga mesatare në sektorin publik u rrit me 46%”, ka deklaruar Kurti në diskutimin e djeshëm të organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në kuadër të universitetit ‘The New School’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai tutje ka thënë se qeveria e tij ka lansuar një program punësimi për të rinjtë që paguan ekuivalentin e një page minimale për 6 muajt e parë për çdo biznes që punëson një të ri të papunë të moshës 18-29 vjeç.
“Monitorimi ynë tregon se dy nga çdo tre të punësuar mbahen në vendin e punës edhe pas skadimit të subvencionit. Kjo na bindi që të zgjerojmë programin për gratë e të gjitha moshave, veçanërisht ato që nuk kanë qenë të pranishme në tregun e punës dhe për këtë arsye kanë pasur vështirësi në gjetjen e punës”, ka pohuar Kurti.