Shqiptarët “më të devotshëm në kuptimin patriotik e më të zotë në kuptimin profesional”, kryeministri thotë se i gjen jashtë vendit të cilin e udhëheq. Për të punuar me Albin Kurtin në Qeveri, nga diaspora patën ardhur dy burra si ministra, të cilët më pas ishin larguar nga dikasterët e tyre e edhe nga vendi pa përfunduar mandati qeverisës.
Kryeministri Albin Kurti e falënderon shpesh diasporën kur flet për rritjen e jashtëzakonshme të partisë së tij viteve të fundit.
Të dielën ai ishte në Frankfurt së bashku me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla. Para mërgimtarëve në një tubim të organizuar nga Konsullata e Kosovës, Kurti tha se është bindur se në diasporë janë “patriotët më të devotshëm dhe punëtorët më të mëdhenj”.
Deklarata e tij s’u prit fort mirë në Kosovë, por pasi u kthye nga Gjermania, ai tha se kjo “është çështje shumë faktike, jo e opinionit”.
“Prej shqiptarëve më të devotshëm në kuptimin patriotik e më të zotë në kuptimin profesional, unë i gjej në diasporën tonë”, përsëriti Kurti.
Në Frankfurt, ai iu tha të pranishmëve se ata ndoshta janë “më brenda” Kosovës sesa vetë ata që jetojnë në Kosovë.
“Kur themi që ne atje jemi brenda e ju jashtë, nuk jemi të sigurt, sepse kur i ke punëtorët e patriotët më të devotshëm në diasporë dhe i ke mendjen më të ndritura jashtë, pra edhe zemra, edhe truri, edhe muskuli, atëherë të lind pyetja kush është brenda, kush është jashtë? Ndoshta ne atje brenda jemi më jashtë se ju, e ju që jeni jashtë jeni më brenda se ne që jemi atje”.
Kur u pyet për deklaratën atje, Kurti përmendi dëshmorët e heronjtë e kombit që erdhën nga diaspora për të luftuar për vendin.
Për të punuar me të në Qeveri, nga diaspora patën ardhur dy burra si ministra, të cilët më pas ishin larguar nga dikasterët përkatës e edhe nga vendi, pa përfunduar mandati qeverisës.
Armend Mehaj ishte emri që ra në sy më së shumti kur Kurti e prezantonte kabinetin e tij qeveritar më 22 mars të vitit 2021. Ai kishte ardhur nga Norvegjia për ta udhëhequr Ministrinë e Mbrojtjes.
Ministrin e ushtrisë, që kishte shërbyer edhe si pjesëtar i Forcave të Armatosura të Norvegjisë, e kishte vlerësuar edhe shefi i atëhershëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Prishtinë në korrik të atij viti.
Por dy vjet më pas, në gusht të vitit 2023, Mehaj dha dorëheqje dhe u largua nga vendi. Kryeministri tha se kërkesa për lirim nga detyra kishte ardhur “për shkaqe familjare”.
Për arsyen e dorëheqjes së Mehajt, ishin ngritur shumë dyshime atëherë, dhe po aq shumë ka ende.
Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati ishte shprehur i habitur me këtë dorëheqje, që kishte ardhur pak muaj pasi Kosova ishte përjashtuar nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”. Kosova ishte një nga vendet nikoqire të kësaj stërvitjeje dhe Ministria e Mbrojtjes kishte shpenzuar gati dy vjet kohë për t’u përgatitur për të. Ndëshkimi kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të, siç thuhej, injorimit të këshillave të tyre për ta shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.
Mehajt herë pas here i është kërkuar që ta bëjë publike “arsyen e vëretë të dorëheqjes”, ndërsa ai ka qëndruar i heshtur. Disa akterë politikë opozitarë thonë se ai kishte hequr dorë nga drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të ndërhyrjeve të koordinatores së komiteteve në LVV, Dejona Mihali.
Kur Arben Vitia jepte dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë në tetor të vitit 2021 për të garuar në zgjedhjet lokale për kryetar të Prishtinës, siç i kishte kërkuar Kurti, një kirurg shqiptar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vinte pas një muaji për ta pasuar.
Rifat Latifi kthehej në vendlindje pas më shumë se 36 vjetësh qëndrimi në SHBA. Doktori i njohur me arritjet e tij në fushën e mjekësisë dhe tele-mjekësisë shprehej i papenduar se e kishte sakrifikuar jetën dhe punën e mirë atje për t’i shërbyer vendit të tij të lindjes.
“Vetë fakti që kam ardhur këtu nga jeta amerikane, nga një punë shumë e mirë është sinjal që edhe të tjerët duhet të na bashkohen. Ne duhet të jemi të hapur dhe duhet të krijojmë një platformë dhe një strategji”, shprehej ai.
Pa i mbushur fiks një vit në MSH, në fillim të tetorit të vitit 2022, ai dha dorëheqje dhe u kthye në SHBA.
Vitia, që e humbi garën e kryeqytetit, u riemërua ministër i Shëndetësisë.
Megjithatë, diaspora mbetet pjesë e rëndësishme e fjalimeve të Kurtit.
Partia e tij, që u rrit deri në 50.2% në zgjedhjet e fundit parlamentare, i kishte marrë rreth 80% të votave që kishin ardhur nga jashtë vendit. Jo pak mërgimtarë në shkurt të vitit 2021 kishin ardhur edhe me autobusë për të votuar për LVV-në.
Kurti tash thotë se “nuk është e çuditshme që ekonomitë më të fuqishme të botës sot janë aty ku ka edhe shumë diasporë shqiptare”.
“Natyrisht që në ato sisteme politike, ekonomike, shqiptarët janë të jashtëzakonshëm”, thotë ai.