Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se kanë pasur performancë të shkëlqyer ekonomike dhe rritje të të hyrave buxhetore.
Kësisoj, Kurti shprehet se “të mirat dhe rritjen, po e ndajnë me qytetarët e për familjet”, duke marrë shkas ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët.
“Sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet të gjithë fëmijët e moshës 0-16 vjeç e që janë pranues të shtesave mujore për fëmijë, do të përfitojnë nga shtesa e fundvitit në vlerë 100 euro. Kjo pra është hera e dytë që po ndajmë një shtesë të tillë mbështetëse për fëmijët tanë, krahas dyfishimit dhe trefishimit të shtesave mujore për ta që e bëmë në gusht të këtij viti.
Përfitues të shtesës prej 100 euro do të jenë gjithashtu edhe pensionistët. Kjo është hera e pestë brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet tek pensionistët tanë, për të cilët krahas shtesave të njëhershme, kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit, fillimisht pensionin bazik deri në 33% dhe tash së fundmi për 20% për të gjithë kategoritë pensionmarrëse. Kemi patur performancë të shkëlqyer ekonomike dhe rritje të të hyrave buxhetore. Të mirat dhe rritjen, po e ndajmë me qytetarët e për familjet”, shkruan Kurti.