Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në perurimin e parkut në lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, së bashku me kryetarin e komunës veriore Erden Atiq, nënkryetaren, si dhe kryetarin e ardhshëm të komunës jugore, Faton Peci, dhe disa ministra të qeverisë.
“Jemi këtu bashkë me kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiq, edhe nënkryetaren, por gjithashtu edhe me kryetarin e ardhshëm të komunës jugore, Faton Pecin, me ministrat që janë të gjithë bashkë për këtë ditë të gëzuar – për rini, për fëmijë, për komunë dhe për të gjithë banorët pa dallim. Unë falënderoj shumë për bashkëpunimin e institucioneve të nivelit qendror me ato lokale dhe e gëzoftë kjo ditë të mbarë për të gjithë,” ka thënë Kurti.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë për të gjithë.
“Kushtetushmëria dhe ligjshmëria do të jenë në vend për të gjithë, pa dallim të pushtetit lokal, pavarësisht kryetarëve që shkojnë e vijnë. Shteti, Republika, do të jetë këtu pranë jush – për shqiptarë, për serbë, për Boshnjakë dhe për të gjitha komunat,” ka shtuar tutje kryeministri.












