Kryeministri Albin Kurti “i është përgjigjur” presidentes Osmani, e cila sot shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Në një konferencë për media, kryeministri Kurti tha se ndodhemi në një situatë ku nuk duhet të flitet për zgjedhje të reja.
Ai ka bërë thirrje që të pritet për një vendim të Gjykatës Kushtetueses pas kërkesës të dorëzuar mbrëmë nga Albulena Haxhiu.
“Ndodhemi në një situatë ku nuk besoj se duhet të flasim për zgjedhjet e reja pa e thënë fjalën e saj Gjykata Kushtetuese. Deputetët që u zgjodhën për 4 vjet nuk i mbushën as 4 javë dhe sot u njoftuam nga mediat për dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, neni 86 në të cilin është thirrur presidentja Osmani, flet për një tjetër procedurë përmes së cilës parashihet shpërndarja e Kuvendit, por jo për këtë situatë në të cilën ndodhemi.
“Neni 86 parasheh se Kuvendi shpërndahet nëse asnjëri kandidatë në votimin e tretë nuk i merr votat e mjaftueshme për president. Nga kjo dispozitë del qartë se shpërndarja e kuvendit lidhet drejtpërdrejt me procedurën e zgjedhjes së presidentit, e mbrëmë ne sa filluam me raundin e parë e kurrsesi nuk jemi në raundin e tretë”, ka thënë mes të tjerash ai.












