Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, priti në zyrën e tij kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi.
“Në këtë datë historike për kombin shqiptar, përvjetori i Kuvendit të Lezhës, që shënon bashkimin e princërve shqiptarë në vitin 1444, Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë theksuan rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy shteteve tona. U vlerësua se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete të një populli, ndajnë aspirata të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm, forcim të institucioneve demokratike dhe integrim euroatlantik”, thuhet në njoftim.
Në njoftim po ashtu thuhet se gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e koordinimit në politikën e jashtme, si dhe për avancimin e agjendës së integrimit drejt Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti vlerësoi se Kosova dhe Shqipëria mbështesin dhe shtyjnë përpara njëra-tjetrën në proceset zhvillimore dhe integruese, duke i konsideruar arritjet si të përbashkëta dhe duke punuar me përkushtim për të ardhmen evropiane të qytetarëve të të dy vendeve.
“U ritheksua se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë mbetet prioritet strategjik dhe një garanci e rëndësishme për stabilitetin, zhvillimin dhe mirëqenien në rajon”, thuhet në njoftim.














