Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, që i ka filluar punimet sot në Prishtinë tha se qeveria e Kosovës po harton një ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi, në përputhje me standardet për të drejtat e njeriut nga Këshilli i Evropës.
Ai foli edhe për problemin që ka të bëjë me martesat e hershme e komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptas e ku raste të tilla janë trajtuar nga Policia e Kosovës.
Kurti tha se qeveria e Kosovës po angazhohen që komunitetet pakicë të punësohen në institucionet e Kosovës, duke përmendur edhe betimin si policë të Kosovës.Ndryshe Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor është një ngjarje vjetore që po bashkon qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e pavarur dhe komunitetet për të trajtuar kolektivisht çështjen e diskriminimit racor kundër komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në rajon.
Samiti organizohet nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit – Republika e Kosovës me mbështetjen e Terre des hommes Misioni në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve dhe Fondacionit HEKS, në kuadër të projektit – Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).