Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Bukoshi për ndarjen nga jeta të Bujar Bukoshit- ish kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.
Në telegram thuhet se Kurti ka shkruar se qeveria në ekzil ishte qeveri e jashtëzakonshme.
Kurti ka thënë se Bukoshi i ka bërë një vend më vete personalitetit të tij në historinë e re politike të Kosovës, për të cilin do të shkruajnë historianët në studimet e historisë së Kosovës.
Në fund ai i ka shprehur ngushëllime familjes.
Telegrami i plotë:
E nderuar familje Bukoshi,
Uroj shumë që ky telegram t’ju gjejë të fortë dhe të bashkuar rreth kujtimeve të shumta dhe të mira që ju ka lënë pas familjari juaj, z. Bujar Bukoshi.
Me të vërtetë ishte pikëlluese si për mua ashtu edhe për bashkëpunëtorët dhe anëtarët e kabinetit tim qeveritar, kumtimi i lajmit për vdekjen e Dr. Bujar Bukoshit. Një mori kujtimesh dhe episode përvojash m’u rikthyen në mendje veçanërisht nga periudha e viteve ’90 të shekullit të kaluar, kohë kjo kur Dr. Bukoshi ishte Kryeministër i Republikës së Kosovës.
Si qeveri në ekzil, qeveria e drejtuar nga Dr. Bukoshi ishte një qeveri e jashtëzakonshme, por ishte natyrshëm e jashtëzakonshme, meqenëse edhe konteksti i saj historik ishte i ndërtuar nga rrethanat e një kohe krejt të jashtëzakonshme, siç ishte edhe shteti ynë asaj kohe, Republika e Kosovës, si republika e parë dhe si një republikë e rezistencës. Pikërisht për shkak të rrethanave dhe kushteve aq të vështira për të vepruar politikisht në Kosovën e dekadës së mbrame të shekullit XX, angazhimi politik i Dr. Bujar Bukoshit dhe i gjeneratës së politikanëve të cilës i përkiste ai, ka një vlerë të veçantë mes brezave modernë të politikëbërësve shqiptarë.
Dr. Bujar Bukoshi, i ka bërë një vend më vete personalitetit të tij në historinë e re politike të Kosovës, për të cilin do të shkruajnë historianët në studimet e historisë së Kosovës, siç do të shkruajnë edhe për epokën kur ai veproi bashkë me të tjerët.
E nderuar familje Bukoshi, ju lutem pranoni nga ana ime ngushëllimet më të ndera për shkuarjen nga kjo jetë të Dr. Bujar Bukoshit. Ju pastë lënë shëndetin dhe paçi jetë ta kujtoni ndër breza, siç do ta kujtojë populli i Kosovës për kontributin e tij.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës