Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka pritur në takim disa anëtarë të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Ani se partia e tij, Vetëvendosje u regjistrua edhe në Shqipëri, Kurti priti Adriatik Lapajn, Endrit Shabanin dhe Panajot Sokon, siç u tha nga Qeveria, për urime pasi “fitoi” zgjedhjet.
Derisa Shqipëria mban zgjedhjet me 11 maj, Kurti më herët është kritikuar shumë për përfshirjen e tij në procese të tilla në vendet e rajonit.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Adriatik Lapajn, Endri Shabanin dhe Panajot Sokon nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, të cilët vizituan sot kryeministrin për t’ia uruar fitoren në zgjedhjet e 9 shkurtit pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai i falënderoi për vizitën dhe urimet. Gjatë takimit, kryeministri i njoftoi z. Lapaj, z. Shabani dhe z. Soko për bashkëpunimin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë këtu marrëveshjet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë nga zbatimi i të cilave po përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e dy vendeve tona” – thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit.