Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia e tij është “gati për zgjedhje sot”, por ndërkohë në përpjekje për t’i shmangur e shtyrë ato, e propozoi sot në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së Glauk Konjufcën për mandatar të ri për formimin e qeverisë.
Kurti tha se kështu LVV-ja po ia jep “mundësinë opozitës që t’ia kursejë vendit dy palë zgjedhje”.
“Ne do të shkojmë përpara me tentimin e dytë, me mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën, me qeverinë e njëjtë, me dëshirën më të mirë për shtetin e për vendin, për popullin e për të gjithë qytetarët pa dallim”, tha ai.
“Ne jemi gati për zgjedhje sot, jemi gati edhe në dhjetor, në muajin e ardhshëm. Jemi edhe më shumë gati në prill, në vitin e ardhshëm. Por po e japim këtë mundësi si zgjidhje për këtë bllokim të kotë”, tha ai.
			
			












