“Kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”. Kështu kishte deklaruar para dy ditësh me plot bindje kryeministri në detyrë Albin Kurti, kur ishte pyetur për vendimin që pritej të merrte kjo gjykatë rreth bllokadës në Kuvend. Edhe pse në atë moment sigurisht s’dihej se cili do të ishte aktgjykimi i Kushtetueses pasi që u publikua vetëm sot, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, s’linte hapësirë për dyshime se nëse ky vendim do të pranohej apo jo nga partia që ai udhëheq.
Megjithatë, qëndrimi i Kurtit mbeti vetëm deklarim fjalësh i momentit, pasi që partia e tij e bëri krejtësisht të kundërtën.
Me të dalë aktgjykimi i Kushtetueses, eksponentë të shumtë të VV-së, u hodhën në sulm ndaj kësaj gjykate. Edhe pse lideri i tyre i padiskutueshëm kishte thënë se vendimi do të respektohej, ata, anëtarët e VV-së pra, se kursyen aspak Gjykatën duke drejtuar sulme me lloj-lloj kritikash e fyerjesh.
Sigurisht ndër të parët që reagoi ishte ekonomisti që është ministër në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ky i fundit që javëve të fundit ka bërë edhe interpretuesin e çështjeve kushtetuese, sulmoi Gjykatën duke thënë mes tjerash se nuk bazohet në Kushtetutë.
‘‘Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë’’, ka thënë ai mes tjerash.
Pas tij, reagim bëri edhe deputetja Saranda Bogujevci. Kjo vlerësoi se demokracia përfaqësuese nuk vlen më në Kosovë, dhe se njëjta sot u anulua.
“Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më”, tha ajo. “Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari. 6 gjyqtarë, nga të cilët 5 nga koha e PAN-it dhe njëri i lidhur me Serbinë, shkelin vullnetin e popullit, riinterpretojnë vendimin e vet dhe gjejnë shkelje veçse te Avni Dehari”, ka thënë Bogujevci.
Reagim tjetër erdhi edhe nga Armend Muja. Deputeti i VV-së, në reagimin e tij vetëm e vetëm për ta sulmuar Kushtetuesen, e lidhi këtë gjykatë në një mënyrë me Millan Radoiçiq.
“I doli arapllaku edhe Gjykatës Kushtetuese e cila ju bashkua prokurorit Blerim Isufajt, kumbarës së lirimit të Millan Radoiçiqit, në luftën kundër Qeverisë Kurti”, deklaroi Muja.
Mes atyre që reaguan ishte edhe Shqipe Mehmeti-Selimi, po ashtu deputete e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo, në reagimin e saj shkoi pak më tej se ta të tjerët, duke thënë se Kushtetuesja është ajo që në fakt ka shkelur Kushtetutën.
“Prej nga shpiku Gjykata Kushtetuese këtë për tri tentime? Pse jo katër? Pse jo dy? Pse jo vetëm një? Ky është rishkrim i kushtetutës. Pra, Gjykata Kushtetuese e ka shkelur kushtetutën”, ka shkruar ajo.
Valles së reagimeve e sulmeve iu bashkua edhe deputeti i VV-së Nezir Kraki. Ky në deklarimin e tij, pak a shumë si deputetja Selimi, tha se, vetë Gjykata Kushtetuese ‘’e ka dhunu disa herë Kushtetutën’’.
“Gjykata kushtetuese e ka dhunu disa here kushtetutën për interesat e bandave politike. Sot paska vendos ta dhunojë edhe veten dhe nja 2 aktgjykime qe vet i ka nxjerre”, ka thënë ndër tjerash Kraki.
Sigurisht, grupit të reagimeve iu bashkua edhe Koordinatorja e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje Dejona Mihali. E njëjta në reagimin e saj i sulmoi gjyqtarët një e nga një. Ajo tha se ‘‘5 nga 7 anëtarët janë ish koalicioni PAN+Lista Serbe të zgjedhur në 2018’’, dhe se ‘’ Asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk do të priste diçka tjetër prej tyre’’.
Për dallim nga njerëzit e tij Kurti ende s’është deklaruar rreth kësaj çështjeje.