Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta hajdari është paraqitur sot për herë të dytë në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Heshti sërish, siç nuk i ishte përgjigjur asnjë pyetjeje as herën e parë vitin e kaluar. Pas saj në Prokurori u paraqit për intervistim edhe ish-sekretari i ministrisë, Irfan Lipovica. Ndonëse jo si i pandehur, si këta zyrtarë qeveritarë, njëjtë nuk po vepron Albin Kurti. Kryeministri në detyrë ka refuzuar disa ftesa dhe një urdhër gjykate për t’u paraqitur për intervistim si dëshmitar. Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tregoi së fundmi se kishin kërkuar lëshimin e një urdhërese nga gjykata për ta sjellë atë me forcë në Prokurori.
Rozeta Hajdari sot shkoi sërish në Prokurorinë Speciale. Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë u intervistua sërish në cilësinë e të pandehurës lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Prokuroria tha se ajo u ftua “me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, për të gjitha dyshimet që janë pjesë e hetimit të këtij rasti penal”.
Ajo, siç tregoi zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, u mbrojt në heshtje, sikurse herën e parë. Hajdari ishte intervistuar edhe në prill të vitit të kaluar, për të njëjtin rast.
Për mediat foli.
Pas intervistimit në prokurori, Hajdari tha se u pyet për blerjen e rezervave shtetërore në shkurt dhe mars të vitit 2022.
Ajo u ankua që Prokuroria, sipas saj, mori “dokumente të klasifikuara si sekret të rezervave shtetërore”.
“Asnjë person nuk mund të ketë qasje në rezervën e klasifikuar sekret pa një procedurë të qartë ligjore sipas udhëzime të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Agjencisë për mbrojtjen e informacionit të klasifikuara”, tha Hajdari.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se me këtë deklaratë, Hajdari “dëshmon nivelin e injorancës së saj dhe atyre që e këshillojnë”.
“Në drejtësinë penale mos njohja e ligjit nuk të amniston nga përgjegjësia penale. Shto faktin se ministria që ajo ka udhëheq dhe qeveria i kanë dhënë qasje nje qytetari (bukëpjekësi) qasje mu në këto dokumente sekrete”, shkroi ai.
“Kosova nuk e meriton që persona të tillë të marrin përgjegjësi të tilla politike dhe është dëshmi e gjallë se sa pak integritet kanë keto institucione”, shkroi Miftaraj në një postim në Facebook.
Pas Hajdarit, në Prokurorinë Speciale është parë të shkojë edhe ish-sekretari i ministrisë, Irfan Lipovica.
Jo si i pandehur, por si dëshmitar, në Prokurorinë Spaceiale ende refuzon të shkojë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Disa ftesa të Prokurorisë i ka refuzuar dhe një urdhër të Gjykatës e ka shpërfilluar për të mos dhënë dëshminë e tij.
Atij vazhdon t’i duket e panevojshme paraqitja e tij para organit të specializuar të ndjekjes. Ka thënë se është “i hapur dhe bashkëpunues” vetëm për institucionet që ai vlerëson se veprojnë “në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë në një intervistë për Kallxo.com të transmetuar të dielën se Kurti “duhet me qenë shembulli më i mirë për qytetarët tjerë” në këtë drejtim.
Ai tha se i kanë kërkuar Gjykatës për të urdhëruar sjelljen me forcë të tij në Prokurori.
“Nuk ka ardhur. Ne i kemi ftesat siç e kërkon Kodi i Procedurës – dy ftesa, nuk është përgjigjur. Ju kemi drejtuar Gjykatës, ashtu siç e kërkon ligji – dy herë. Gjykata ka lëshuar dy urdhëresa, por ai nuk ka ardhur. Unë e them me kompetencë se kërkesa jonë ka qenë e qartë – të lëshohet urdhëresë që dëshmitari të sillet me forcë në Prokurori. Një urdhëresë e tillë kurrë nuk është lëshuar”, ka thënë ai.
Muaj më parë zyrës së Kurtit iu desh ta bënte një reagim pasi kryemiistri në detyrë refuzoi edhe urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës që të paraqitej më 4 mars në Prokurorinë Speciale dhe kur në vend të kësaj kishte zgjedhur të shkonte në të njëjtën kohë te “Livadhet e Arapit” një lagje të Gjilanit, për vënien e gurthemelit të një çerdheje.
Kurti e konsideron të panevojshëm kërkesën për ta pasur atë në organin e specializuar të ndjekjes për intervistim. Dëshminë e tij, ai e konsideron pa ndikim në thelbin e çështjes.
Për herë të parë Prokuroria Speciale e ftoi Kurtin të dëshmojë në dhjetor të vitit të kaluar. Prej atëherë, kryeministri ka refuzuar edhe disa ftesa të tjera, duke përsëritur se është i gatshëm të intervistohet vetëm në zyrën e tij.
Kryeprokurori Isufaj thotë mund të shkojnë te Kurti “në situata të tjera”.
“Për shembull, nëse është viktimë e një krimi, nëse është i kërcënuar eventualisht – s’e kemi problem, shkojmë te ai. Ose nëse është i sëmurë – por asnjë nga këto elemente nuk qëndrojnë. Pse duhet ta bëjmë këtë përjashtim?”.
Prokuroria Speciale thotë se shteti kishte paguar rezerva shtetërore të cilat nuk kishin ardhur, duke e dëmtuar buxhetin për mbi 600 mijë euro.
Sipas organit të specializuar të hetimit dhe ndjekjes, ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.
Ministria e udhëhequr prej Rozeta Hajdarit, sipas Prokurorisë, kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar. Një pjesë e sasisë së kontraktuar të rezervave dyshohet se nuk arriti kurrë në Kosovë./Gazeta Express