Ana Gjoshi akuzohet të ketë kryer disa vepra të rënda penale, si: trafikim me qenie njerëzore, ofrimin e lokaleve për prostitucion, si dhe detyrimin apo mundësimin e prostitucionit.
Në bashkëpunim me Dodë Ricën, pronarin e rrjetit të lokaleve të striptizmit “Shqiponja Club”, Gjoshi dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal që kishte për qëllim shfrytëzimin seksual të grave – shumica prej tyre shtetase të huaja – të cilat rekrutoheshin me premtime për punësim si valltare, por përfundonin të trafikuara dhe të detyruara të kryenin veprime seksuale në kundërshtim me vullnetin e tyre.
Sipas aktakuzës së siguruar nga Insajderi, Gjoshi siguronte kontaktet me gratë përmes rrjeteve sociale, dhe pasi u dërgoheshin ftesa nga partneri i saj, ato transportoheshin drejt Shqipërisë dhe më pas në Kosovë, shkruan Insajderi.
Me të mbërritur në Prishtinë, viktimave u merreshin pasaportat dhe u kufizohej liria personale, përfshirë edhe kohën kur mund të dilnin jashtë.
Nën presion, kontroll dhe kërcënime të vazhdueshme, ato detyroheshin të zhvisheshin në klub, të shkonin në dhoma private me klientë dhe të kryenin marrëdhënie seksuale. Pagesat për këto “shërbime” mblidheshin nga menaxhmenti i klubit, ndërsa gratë merrnin një përqindje të vogël, në shumë raste vetëm për të shlyer të ashtuquajturin “borxh të udhëtimit”.
Kush është Ana Gjoshi?
Ana Gjoshi është shtetase shqiptare, rreth të tridhjetave, e cila ka vepruar si menaxhere e lokalit “Shqiponja Club” në Prishtinë. Në vend të një roli administrativ apo përkujdesës për punonjëset e klubit, Gjoshi akuzohet se ka qenë hallka kryesore që lidhte vajzat e rekrutuara me rrjetin e trafikimit, shkruan Insajderi.
Ajo mbante pasaportat e tyre, kontrollonte lëvizjet, dhe në shumë raste – sipas dëshmive të viktimave – i udhëzonte ose i detyronte të shkonin në dhoma me klientë.
Aktualisht, Ana Gjoshi ndodhet në arrati në Dubai, ndërsa ndaj saj ka një urdhër arresti ndërkombëtar. Ndërkohë, partneri i saj në këtë veprimtari, Dodë Rica, ndodhet në paraburgim në Kosovë, pas ekstradimit nga Shqipëria në vitin 2024.