Gjykata Kushtetuese sot ka njoftuar se ka marrë vendim lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe deputetët e ka pranuar vendimin, ndërsa partia në pushtet deri në publikimin e këtij tekstin nuk e ka dhënë asnjë qëndrim për këtë masë.
Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka vlerësuar se kjo masë hyn në fuqi më 5 shtator dhe do të zgjas deri më 30 shtator.
“I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025; III. T’U’A KUMTOJË këtë Vendim palëve; IV. TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit; V. Ky Vendim hyn në fuqi më 5 shtator 2025”, është thënë në vendimin e Kushtetueses.
Pak kohë pas publikimit të këtij vendim ka reaguar kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.
Ai nuk ka dhënë ndonjë vlerësim për vendimin, vetëm ka treguar se vendi u është shpërndarë të gjithë deputetëve.
“Sot kam pranuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Menjëherë kam autorizuar administratën që të njëjtën t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Faleminderit!”, ka shkruar Basha në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe “opozita” ka reaguar ndaj vendimi të Kushtetueses.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se kjo tregon se padituria kushton.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se VV-ja ka bllokuar një shtet.
“Masë tjetër, bllokadë tjetër. Padituria kushton. Ja ku na ka sjellë popullizmi. Një shtet i tërë i bllokuar, për një pozitë të parëndësishme partiake në Kuvendin e Kosovës. Edhe 30 ditë të tjera të humbura – minimalisht. Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?! U thamë. Nuk dëgjuan. U treguam. Nuk panë. Kështu ndodhë kur shkatërruesit e shtetit, shkelësit e 48 herë Kushtetutës rresht, për synim nuk kanë atdheun, por kauzën elektorale për një votë a dy”, ka shkruar ai.
Deri në publikimin e këtij teksti nuk ka reaguar “eksperti kushtetues” i VV-së, Hekuran Murati.
Ndonëse me profesion është ekonomist, deputeti Murati vazhdimisht sfidon aktgjykimet e Kushtetueses.
Nga tabori i VV-së ka reaguar vetëm analisti Sadri Ramabaja, i cili e ka kritikuar ashpër vendimin e Kushtetueses.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky është një bllokim i paramenduar dhe tallje me Republikën.
“Sot u bë publik vendimi i GJK dhe masa e përkohshme me këtë arsyetim: & 55. “, Gjykata, në dritën e sqarimeve të lartcekura, vlerëson se kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”. Funksionalizimi i jetës parlamentare dhe krijimi i Qeverisë së re qenkan rreziku që do të mund t’na ndodhte dhe si i tillë ai do të ishte “dëmi i pariparueshëm”! Çfarë ti thuhet kësaj?! Bllokim i paramenduar dhe tallje me Republikën”, ka shkruar Ramabaja.