Pas një viti bllokadë institucionale dhe menjëherë pas formimit të institucioneve të reja të Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka nisur punën përmes komisioneve parlamentare.
Gjatë ditës së sotme, një numër i madh komisionesh do të mbajnë mbledhje, ku në fokus do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026, si dhe konstituimi i disa komisioneve.
E para do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili do të shqyrtojë buxhetin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të përfshirë në Projektligjin nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026. Mbledhja është njoftuar të nisë në orën 09:00.
Në të njëjtin orar do të mblidhet edhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Në orën 10:00, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do të shqyrtojë çështjen e konstituimit të Kuvendit. Po në këtë orar, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji do të shqyrtojë Projektligjin nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për fushat që janë në kompetencë të këtij komisioni.
Gjithashtu në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku në rend dite është konstituimi i Kuvendit.
Në orën 11:00 mblidhet Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport. Ky i fundit do të shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore.
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të diskutojë për konstituimin e Kuvendit në orën 11:30. Në të njëjtin orar, edhe Komisioni për Shëndetësi do të shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore.
Konstituimi i Kuvendit do të diskutohet gjithashtu në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i cili mblidhet nga ora 11:30.
Ndërkaq, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore me fillim nga ora 13:00.













