Një operacion i koordinuar mirë i Policisë së Kosovës ka përfunduar me prangosjen e një prej personave më të kërkuar në Evropë. Liridon Fetahu, i cili figuronte në listën “EU Most Wanted”, është arrestuar sot në lagjen Veternik të Prishtinës, nën dyshimet për vrasje të kryera në Danimarkë.
Përmes një komunikate zyrtare, Policia ka konfirmuar se arrestimi është rezultat i një pune intensive operative në terren nga njësia e specializuar për kapjen e personave të arratisur.
“Sot, më 23.03.2026, në Prishtinë, Policia e Kosovës, përkatësisht njësia ‘FAST Kosova’, në bashkëpunim me njësitë e rendit publik dhe Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH), ka realizuar me sukses arrestimin e një shtetasi të huaj të kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për veprën penale ‘vrasje’”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, Fetahu po kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të tipit “Red Notice”, të lëshuar nga autoritetet e Danimarkës.
“Rasti është duke u trajtuar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa autoritetet kompetente janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore në përputhje me procedurat në fuqi”.
Bazuar edhe në të dhënat e publikuara nga Europol, ai akuzohet për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor, vepra këto që dyshohet se janë kryer si pjesë e vrasjeve me pagesë.
Fotoja e tij ishte publikuar në platformën zyrtare të personave më të kërkuar në Evropë, ku jepeshin detaje për moshën e tij (27-vjeçar) dhe rrezikshmërinë që paraqiste.
Arrestimi i tij në Prishtinë konsiderohet një goditje e rëndësishme për bashkëpunimin policor ndërkombëtar./Insajderi/Veriu.info















