Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance u largua nga Pakistani pasi nuk u arrit asnjë marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës.
CNN përmblodhi gjërat më të rëndësishme që i tha ai në një konferencë për shtyp pas një seance të gjatë negociatash.
S’ka marrëveshje: Bisedimet, të cilat filluan të shtunën sipas kohës lokale në Islamabad dhe vazhduan gjatë natës deri në mëngjesin e së dielës, nuk prodhuan një marrëveshje për t’i dhënë fund përfundimtar luftës.
“Mendoj se ky është lajm i keq për Iranin shumë më tepër sesa është lajm i keq për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që kthehemi në SHBA pa arritur një marrëveshje”, tha Vance.
SHBA dha “ofertën e saj përfundimtare dhe më të mirë”: Vance tha se negociatorët iranianë refuzuan t’i pranonin kushtet e SHBA-së për një marrëveshje, të cilat ai këmbënguli se kishin qenë “mjaft fleksibile”.
“Ishim mjaft të gatshëm për kompromis. Presidenti na tha: ‘Duhet të vini këtu me mirëbesim dhe të bëni përpjekjen tuaj më të mirë për të arritur marrëveshje.’ Ne e bëmë këtë dhe, për fat të keq, nuk arritëm të bëjmë asnjë përparim”, tha ai.
Për programin bërthamor të Teheranit: Irani nuk u zotua të heqë dorë nga ndërtimi i një arme bërthamore pas orësh negociatash, sipas zëvendëspresidentit.
“Pyetja është: ‘A shohim një angazhim themelor vullneti nga iranianët për të mos zhvilluar një armë bërthamore jo vetëm tani, jo vetëm pas dy vitesh, por në afat të gjatë?’ Ne nuk e kemi parë ende këtë, shpresojmë ta shohim”, tha Vance.
Komunikimi me administratën: Vance tha se foli me presidentin Donald Trump “në mënyrë të vazhdueshme” gjatë bisedimeve. Ai tha se foli gjithashtu me zyrtarë të tjerë të lartë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe admiralin Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane fajësuan kërkesat “e tepruara” të SHBA-së për dështimin.
“Negociatat mes ekipeve iraniane dhe amerikane përfunduan para pak minutash dhe, për shkak të asaj që përshkruhet si tejkalim dhe ambicie nga ana e SHBA-së, të dyja palët deri tani kanë dështuar ta arrijnë një marrëveshje” ,raportoi një korrespondent i agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Tasnim nga Islamabad.















