Policia e Kosovës ka arrestuar sot hiq më pak se 15 persona pasi ka parandaluar një përleshje fizike të planifikuar mes dy grupe të rinjsh.
Kështu ka deklaruar për Veriu.info zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sotme, pasi Policia përmes rrugëve operative ka arritur të përpunojë informatat me indikacione për një përleshje të mundshme fizike ndërmjet dy grupeve të rinjësh. Angazhimi dhe reagimi i shpejtë i njësive të ndryshme policore ka rezultuar me lokalizimin e dy grupeve dhe ka bërë të mundur parandalimin e përleshjes dhe vendosjen e situatës nën kontroll.
15 personat janë arrestuar në dy lokacione të ndryshme.
“Të njëjtit janë shoqëruar në stacionin policor, procedurat e intervistimit po zhvillohen ne prani te prindërve dhe zyrtarëve te Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Procedurat e mëtejme hetimore po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin kompetent.” – deklaroi Zahiti për Veriu.info.
Ai ka thënë se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e rasteve që cenojnë sigurinë.