Një rast i rrahjes ka ndodhur paraditën e sotme në Mitrovicë, më saktësisht në marketin QTA-Durmart në Shipol, ku sigurimi i marketit ka rrahur një konsumator.
Veriu.info ka mësuar nga burimet e saj se fillimisht pas një telashe mes personit përgjegjës të sigurimit me një konsumator, i pari pastaj ka rrahur konsumatorin.
Pas kësaj, konsumatori i rrahur nga sigurimi i QTA – Durmart, është kthyer dhe ka dëmtuar me sakicë xhamat e marketit.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ai për Veriu.info ka deklaruar se dy persona janë duke u intervistuar nga policia, njëri nën dyshimin për shkaktim të lëndimit trupor, ndërsa tjetri për dëmtim prone
“Dy persona të dyshuar për rastin janë duke u intervistuar nga policia. Njëri nën dyshimin për shkaktim të lëndimit trupor, ndërsa tjetri për dëmtim prone” – ka thënë Zahiti për Veriu.info.
Veriu.info ka tentuar të kontaktojë edhe pronarin e QTA – Durmart, Agron Durimishi, por i njëjti nuk ka pasur qasje në telefonin e tij.