Analisti dhe filozofi Blerim Latifi ka komentuar protestën e mbajtur sot në Hagë kundër Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si vazhdimësi të një tradite të gjatë të shqiptarëve në mërgatë për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyrë paqësore dhe të qytetëruar.
Latifi kujtoi se që nga viti 1981, shqiptarët kanë organizuar qindra, madje edhe mijëra protesta në qytete të ndryshme të Perëndimit. Ai theksoi se, ndryshe nga komunitete të tjera etnike, këto protesta nuk janë shoqëruar asnjëherë me dhunë apo vandalizëm.
“Dinjiteti dhe sjellja e civilizuar kanë ecur gjithmonë krah për krah, duke treguar fytyrën e vërtetë të kombit tonë, e jo atë të shëmtuarën që duan të na e mveshin armiqtë e lirisë sonë, bashkë me mashat e tyre brenda nesh,” u shpreh Latifi.
Sipas tij, edhe protesta e sotme në Hagë e dëshmoi këtë traditë të madhështore, duke treguar se shqiptarët dinë të artikulojnë qëndrimet e tyre me dinjitet dhe paqësisht, duke lënë pas mesazhe të qarta politike dhe morale.