Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë “Laureatët e Vitit 2025” , organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, për të nderuar arritjet më të larta të sportit për vitin që lamë pas.
Duke nderuar përkushtimin, disiplinën dhe karakterin që sportistët tanë përfaqësojnë brenda dhe jashtë vendit, Kurti tha se çdo medalje e juaja, të dashur kampionë, është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm dhe e punës tuaj të pandalshme.
Në fjalën hyrëse, ai falënderoi të gjithë sportistët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm, për çdo stërvitje të hershme të mëngjesit dhe për çdo garë ku kanë ngritur flamurin e Kosovës dhe është dëgjuar himni i Kosovës me dinjitet, transmeton Klankosova.tv.
“Gjatë viteve të fundit, së bashku, kemi punuar që sporti të zhvillohet në sistem dhe strukturë të qëndrueshme që mundëson zhvillim afatgjatë. Kemi rritur investimet kapitale dhe mbështetjen financiare, kemi forcuar kornizën ligjore dhe kemi zhvilluar programe konkrete që mbështesin sportistët dhe kemi vendosur standarde të qeverisjes së mirë brenda sektorit të sportit”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se investimi publik në sport është besim dhe përkushtim ndaj talentit tonë – dhe kjo kërkon menaxhim të kujdesshëm dhe rezultate konkrete.
Me këtë rast, Kurti theksoi se Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë projekt zhvillimor shtetëror që kërkojnë bashkëpunim dhe përkushtim nga të gjithë ne, andaj edhe përgatitja për to është angazhim serioz ndër-institucional dhe ndër-sektorial. Andaj, Qeveria do të vazhdojë të jetë partnere e fuqishme në këtë proces, si mbështetje e qëndrueshme për realizimin e suksesshëm të tyre.
Çmimin “Sportistja e Vitit” për herë të gjashtë e fitoi xhudistja Distria Krasniqi, kurse me çmimin “Sportisit i Vitit” u nderuar xhudisti Akil Gjakova.
Kurti uroi secilën e secilin prej laureatëve të vitit, dhe u dëshiroi suksese të mëtutjeshme.













